Fjalë Kyçe

Ibishi: Duhet një koalicion i madh, opsion mund të jetë VV-PDK

Ibishi: Duhet një koalicion i madh, opsion mund të jetë VV-PDK

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se Kosova ka hyrë në situatë delikate sa i përket formimit të institucioneve. Sipas tij, Qeveria mund të krijohet por se me një shumicë të brishtë.

Sipas tij, duhet të bëhet një koalicion i madh, megjithatë ka shtuar se duke parë qëndrimin e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës koalicioni me VV-në nuk do të ishte i mundur.

“Po, gjithsesi duhet të ketë një koalicion më të madh. Mund të jetë VV-ja me LDK-në ose me PDK-në. Vështirë se LDK-ja do tërhiqet nga deklarata e sotme, deklarata tregon se është vendim i prerë, por opsion mund të jetë edhe PDK-ja”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Ibishi është shprehur se kryeministri Albin Kurti është dashur të tregohet i kujdesshëm me gjuhën gjatë fushatës zgjedhore që të mos i largonte partitë që tani do të mund të bënte koalicion më të qëndrueshëm.

“Ndoshta vjen deri te një opsion, por akoma ai hendek dhe ato qëndrime inatçore të liderëve tanë që me cdo kusht të refuzojnë gjithçka dhe ajo pjesë fyese që nuk i falet kryeministrit aktual, sepse ai e ka ditur qysh në fillim që s’e ka shumicën dhe është dashur të tregohet më i kujdesshëm me gjuhën, kjo mund të sjellë një situatë të një krize të ngërçit, ndoshta jo në këtë fillim”, ka potencuar ai.