Fjalë Kyçe

Ibishi: Vuçiqi po bën luftë psikologjike duke mobilizuar xhandarmërinë, por e di deri ku mund të shkojë

Ibishi: Vuçiqi po bën luftë psikologjike duke mobilizuar xhandarmërinë, por e di deri ku mund të shkojë

Eksperti i sigurisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi e konsideron të qëlluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Ibishi thotë se situata në veri mund të jetë e rrezikshme sidomos gjatë orëve të natës ku sipas tij një incident i vogël mund të sjellë deri në eskalimin e situatës.

“Protestuesit serb duket se janë shumë të strukturuar dhe jo rastësisht janë grumbulluar menjëherë në pikat kufitare”, tha ai në RTV Dukagjini.

Eksperti thotë se reagimi me kohë i njësive speciale ka mundur të mbajë gjendjen nën kontroll.

“Po të kishte vetëm policë kufitarë e doganierë, përsëri do të kalleshin pikat kufitare siç ka ndodhur më parë, por raporti i forcave e ka evituar një situatë të tillë”, shtoi Ibishi.

Ai thotë se policia ishte e pajisur mjaft mirë me pajisje armatimi për të përballuar çdo lloj reagimi vandalist të protestuesve. Ibishi shton se lëvizja e ushtrisë nga Vuçiqi është vetëm veprim politik, pasi sipas tij ai e di ku është kufiri me Kosovën.

“Vuçiqi e di se deri ku mund të shkojë. Ai e di që nuk mund të shkelë tërësinë territoriale të Kosovës pasi aty e pret NATO. Ata e kanë pësuar njëherë nga NATO, nëse vijnë mund ta pësojnë edhe njëherë tjetër”.Eksperti i sigurisë thotë se Serbia po bënë luftë psikologjike duke mobilizuar xhandarmërinë.“Është një luftë psikologjike dhe speciale, pasi KFOR-i është edhe mision i Kombeve të Bashkuara në bazë të rezolutës 1244”,theksoi tutje ai..