Fjalë Kyçe

Ibrahimoviqi nga Kosova, po rritet te Bayerni

Ibrahimoviqi nga Kosova, po rritet te Bayerni

Ka shumë futbollistë nga Kosova që janë frymëzuar nga Zlatan Ibrahimoviqi i famshëm. Ndonjë prej tyre në moshë të re edhe është krahasuar me superyllin që aktualisht luan te Milani.

Rasti i një talenti të Bayern Muenchenit, megjithatë, dallon shumë nga të tjerët. Bëhet fjalë për futbollistin 14-vjeçar që e ka mbiemrin Ibrahimoviq dhe që është me prejardhje nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore.

“Unë jam nga Kosova”, ka thënë Arijon Ibrahimoviq (Ibrahimovic) për Koha.net. Ibrahimoviqi kosovar po zhvillohet në Akademinë e Bayernit, së bashku me disa lojtarë të tjerë me rrënjë nga Kosova. Mban fanellën me numrin dhjetë, ndërsa vlerësohet lart për talentin që ka.

Në moshë më të re ka thënë se ëndërron të bëhet si Cristiano Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviqi. Pozita e tij në fushë është e përafërt me pozitën e tyre.

“Jam Arijoni, jam 14-vjeçar dhe luaj për Bayernin. Aktualisht jetoj në konviktin e klubit bavarez. Prindërit e mi jetojnë në Nuernberg, këtu në Gjermani. Unë shkoj shpesh për pushime në Kosovë. Te Bayerni janë edhe disa lojtarë të tjerë nga Kosova dhe me ata kaloj shumë mirë.

Jam po ashtu shumë i kënaqur me zhvillimin që po e bëj te Bayerni”, ka theksuar Ibrahimoviqi i ri. Ai ka treguar se është me prejardhje nga Prizreni. Për edicionin 2019\2020, Ibrahimoviq është pjesë e ekipit U-15 të Bayernit. Në një ndeshje kampionale ka shënuar plot katër gola. Vitin e kaluar ai iu bashkua Bayernit, përkatësisht Qendrës së Performancës së të Rinjve të këtij klubi.