Real Madridi tashmë ka kompletuar transferimin e Kylian Mbappes, dhe Endrick Felipe gjithashtu do të mbërrijë në ‘Santiago Bernabeu’ këtë verë.
Dy blerje shumë të mëdha, por ka edhe më shumë në agjendën e ‘Los Blancos’. Thënë më saktë, dy mbrojtës pritet që të transferohen para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Një qendërmbojtës i ri po kërkohet me ngulm pas largimit të Nacho Fernandez dhe Rafa Marin, me Leny Yoro që është top prioriteti i bordit madrilen.
Së pari do të tentohet transferimi i yllit francez, por nuk përjashtohet as një lëvizje e mundshme për transferimin e Alphonso Davies.
Davies ka qenë një objektiv i Real Madridit tash e një kohë të gjatë dhe ndonëse qëllimi i tyre ishte të nënshkruanin me të, kërkesat financiare të Bayern Munichut e kanë ‘ftohur’ interesimin, me drejtuesit e klubit që po preferojnë të presin t’i skadojë kontrata verën e ardhshme.
Tani sidomos ka më pak dëshirë për ta transferuar reprezentuesin kanadez duke marrë parasysh formën e lartë të Ferland Mendy.
Sidoqoftë, duket se që të dy Davies dhe Mendy mund të jenë pjesë e Real Madridit sezonin e ardhshëm, me Relevo që ka raportuar se zyrtarët e Real Madridit janë të intriguar nga ideja që t’i kenë të dy lojtarët nën urdhrat e Carlo Ancelotti sezonin e ardhshëm.
Në rast se ndodh ky skenar, atëherë kjo do të thotë se Fran Garcia detyrimisht do të largohet pasi nuk do të kishte mundësi të luante sezonin e ardhshëm.
Të kesh Davies dhe Mendy në ekip mund të jetë një tepricë për Real Madridin dhe të shkaktojë dhimbje koke për Ancelottin, i cili e kishte favorizuar shumë këtë të fundit në muajt e fundit.
Do të jetë interesante për t’u parë nëse kjo ide do të bëhet realitet këtë verë, por tekniku italian ka dëshmuar në disa raste se mund t’i menaxhojë pa problem yjet.