Fjalë Kyçe

Ideja për bashkim kombëtar u harrua nga Qeveria, thonë nga PDK-ja dhe AAK-ja

Ideja për bashkim kombëtar u harrua nga Qeveria, thonë nga PDK-ja dhe AAK-ja

Bashkimi kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të realizohet vetëm nëse ka vullnet nga të dyja shtetet, thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por nga partitë në opozitë, PDK dhe AAK, thonë se kjo çështje është harruar nga vetë Qeveria.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se ka gatishmëri nga kjo parti për bashkëpunim me Shqipërinë, ndërsa bashkimin e quajti ide të kamotshme e cila nuk u pengon po të realizohej.

“Ajo ideja e bashkimit kombëtar është ide e kamotshme e popullit shqiptar qoftë Shqipëri qoftë Kosovë të cilët padrejtësisht janë ndarë, mirëpo një ide e tillë neve nuk na pengon që në të ardhmen të realizohet përmes vullnetit të dy vendeve sepse e kemi një kufi padrejtësisht të vendosur por nëse të dy qeveritë qoftë ajo e Shqipërisë qoftë ajo e Kosovës do të jenë të përkushtuara në bashkëpunim për të gjitha sferat e jetës”, ka thënë Kollçaku.

Ndërsa, sipas deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, bashkëpunimin me Shqipërinë Qeveria e re ka harruar ta përfshijë në program.

Musliu-Shoshi ka thënë se dy shtetet mund të funksionojnë vetëm në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta.

“Nëse e lexoni pjesën e politikës së Jashtme është një paragraf i thellimit të bashkëpunimit me Shqipërinë. Unë mund t’i them edhe qeverisë dhe opinionit publik se jemi dy shtete të pavarura dhe ne mund të funksionojmë vetëm në bazë të marrëveshjeve që i kemi të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku ne nuk kemi ambasadorë apo nuk na njohin. Ne mund t’i shfrytëzojmë këto seli të përbashkëta. Mirëpo kjo pjesë është harruar komplet. Ne mund të bëjmë edhe iniciativa të përbashkëta me Shqipërinë por siç duket e kanë harruar që ta përfshijnë”, tha ajo për Ekonomia Online.

E deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, këtë ide e ka vlerësuar si populizëm të Vetëvendosjes. Ajo ka thënë se Kosova është e përcaktuar të jetë pjesë e BE-së duke ecur njëtrajtshëm me vendet e tjera të rajonit.

“Qoftë bashkim kombëtar, qoftë mosnjohja e flamurit e himnit të Kosovës me të gjitha këto VV-ja ka bërë një populizëm dhe e ka bërë populizëm edhe në paragrafin qe në programin e qeverisë ia ka kushtuar bashkimit kombëtar. Kosova është përcaktuar me qenë pjesë e BE-së dhe po ashtu po kërkojmë që integrimi i Ballkanit perëndimor të shkojmë njëtrajtshëm sepse në tavolinën e bisedimeve me BE-në kemi kërkuar që integrimi i Ballkanit Perëndimor të bëhet njëjtë dhe prapë është e padrejtë që Brukseli zyrtar Serbinë e avancon duke tentuar të marrë statusin e vendit kandidat ndërsa Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo është e padrejtë”, tha Kadriaj për Ekonomia Online.