Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj shpalljes së konkursit publik për zgjedhjen e Noterëve të shpallur nga Ministria e Drejtësisë.
IKD përmes një njoftimi për media, thekson se e kupton rëndësinë e përmbylljes së procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të rinj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, drejt përmirësimit të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës.
“Sidoqoftë, duke marr për bazë faktin se nga data 19 korrik 2019, qeveria aktuale është në largim – pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj – parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, kërkojnë që Qeveritë në largim, përfshirë ministritë e linjës nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, sikurse është rasti konkret me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj. Kur kësaj i shtohet fakti, se rreth provimit të noterisë është zhvilluar një debat i gjerë publik me akuza të ndërsjella rreth mënyrës së udhëheqjes së këtij procesi dhe përzgjedhjes së kandidatëve të suksesshëm, IKD vlerëson se si i tillë, ky proces është i komprometuar në publik”, thuhet në njoftim.
Sipas IKD-së, komprometimi në publik i procesit të noterëve dhe mungesa e legjitimitetit të Qeverisë në largim për të marr vendime në interes të përgjithshëm, e zbehin besimin e publikut në këtë proces të zgjedhjes së noterëve të rinj.
“IKD fton Ministrinë e Drejtësisë të reflektoj mbi situatën e krijuar dhe të ri-shikoj vendimin për shpalljen e këtij konkursi, i cili është i domosdoshëm por jo në këtë fazë kur Kosova udhëhiqet nga Qeveria në largim. Ky parim duhet të vlejë edhe për vetë Zyrën e Kryeministrit dhe Ministritë e tjera të linjës, të cilat gjatë kohës kur Kosova udhëhiqet nga Qeveria në largim, nuk duhet të marrin vendime për të cilat nuk kanë legjitimitet por të bazohen vetëm në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të domosdoshme për ta mbajtur funksionale administratën shtetërore, që hyjnë në kuadër të fushëveprimtarive të tyre”, thekson njoftimi.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë, në faqen zyrtare ka shpallur konkurs publik për zgjedhjen e noterëve të rinj.
Sipas njoftimit, janë 79 pozita të lira për noterë në shumicën e komunave të Kosovës.