Fjalë Kyçe

Incidenti në Gjinekologji, Latifi: Komunikimi me familjen është çështja më e rëndësishme

Incidenti në Gjinekologji, Latifi: Komunikimi me familjen është çështja më e rëndësishme

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi ka folur ekskluzivisht për Klan Kosovën në lidhje me incidentin e djeshëm në Gjinekologji me keqinformatën që i dha infermierja një prindi që nuk e dinte se gruaja e tij kishte lindur një foshnje të vdekur.

Ai u shpreh se e gjitha kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së komunikimit.

“Mua më kanë njoftuar menjëherë, e kam dëgjuar, e kam lexuar, e kam parë raportin, e kam parë komunikatën e ShSKUK-së, kam biseduar drejtpërdrejt me drejtorin e Gjinekologjisë. Ajo që ka ndodhur në Gjinekologji është fatkeqësi e madhe dhe është shkak i mungesës së komunikimit”, tha ai.

Latifi u shpreh se kur në një operacion ka ndonjë komplikim, familja duhet lajmëruar menjëherë, përcjell Klankosova.tv.

“Po e marr anën personale kur unë kam qenë kirurg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komunikimi me familjen është çështja më e rëndësishme që ne duhet ta bëjmë, e para kur dikush shkon në sallë të operacionit, kurrë nuk fillon operacioni menjëherë, ne kemi mënyra me komuniku me familjen, me thënë ‘tash po fillon operacioni’, nëse ka ndonjë komplikim të madh ne duhet ta lajmërojmë menjëherë familjen, kështuqë kjo është shumë fat i keq, një se fëmija ka vdekur për shkak të sëmundjeve, probleme që ka pasur, por pastaj është lënduar shumë familja me atë lajmë që është shumë i keq. Mua më vjen shumë keq për familjen edhe për ata personat që kanë qenë të involvuar, natyrisht që nuk e kanë bërë me qëllim, por neve na duhet të mësojmë diçka nga kjo, në mënyrë që të kemi “check point” se çka po bëjmë në çdo fazë”, u shpreh tutje ai.