Fjalë Kyçe

Infektologu i njohur kosovar: Në gusht do të përfundojë pandemia COVID-19

Infektologu i njohur kosovar: Në gusht do të përfundojë pandemia COVID-19

Kosova po përballet me numër të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve si pasojë e Covid-19.

Vaksinimi i cili nisi në fund të muajit që lamë pas po vazhdon tek personat e moshuar.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

E këto masa, sipas infektologut Hamdi Ramandani, do të japin efektin pozitiv.

Ramadani që ishte edhe drejtor i Klinikës Infektive, thotë për Front Online se këto masa janë të vonuara dhe është dashur të merren më herët.

“Unë mendoj që këto masa kanë qenë te nevojshme, të vonuara bile dhe duhet që pas 10 dite apo dy javëve duhet ekspertët të shohin se si është situata, e nëse ka një rënie të numrit të të infektuarve atëherë këto masa”, ka thënë Ramadani për Front Online.

Sipas infektologut Ramadani paralelisht me masat duhet të vazhdoj edhe procesi i vaksinimit.

“Duhet të bëhet imunizimi, por jo vetëm kjo, duhet të bëhen testime sa më shumë sepse në këtë formë ne e dimë se si është situata epidemiologjike në komunitetin tonë”, ka thënë ai.

Ramadani thotë se shpreson shumë që të ulen rastet me Covid-19, e nëse ulen nën 100 atëherë pret që masat të largohen krejtësisht.

“Nëse ulet numri i të infektuarve nën 100 raste duhet të hiqen menjëherë, pasi ato e kanë arritur efektin e vet”, ka thënë ai.

Sipas tij, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit Coronavirusit në vend do t’i vije fundit dhe do të ketë vetëm raste sporadike të infektimeve.

“Po shpresoj që nëse vaksinimi vazhdon siç është e planifikuar, fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit do të jenë muajt që ne do të jemi në një situatë gati normale, pasi rastet do të ulen në mënyrë të madhe dhe mund të ketë ndonjë rast sporadik”, thotë infektologu Ramadani.

Paralajmëron infektologu: Varianti i ri britanik shumë i rrezikshëm, shkaktarë i shumë vdekjeve

Kurse sa i përket variantit të ri i cili po qarkullon në vendin tonë, ai shprehet se duhet pasur kujdes pasi është shumë i rrezikshëm por që vaksina po tregon efekt edhe ndaj tij.

“Varianti britanik i Coronavirusit është shumë më rrezikshëm për shkak se është më shumë ngjitës dhe çka është më e keqja jep ndërlikime dhe vdekshmëri më të madhe se sa variantin që ne e njohim”, shprehet Ramadani.

Ramadani tha se simptomat e varianit të ri britanik të Covidit janë të ngjashme me ato të atij kinez.

“Simptomat janë thuajse të ngjashme me Coronavirusin që e njohim në apo siç i thonë kinez, prandaj po e them janë të domosdoshme masat, të respektohen dhe të vazhdojë vaksinimi”, tha ai për Front Online.