Fjalë Kyçe

Insekti gjigant dëmton të korrurat në Keni

Insekti gjigant dëmton të korrurat në Keni

Në fushat përreth saj, fermerja Hannah Nyokabi shikon se si gjinkallat po i shkatërrojnë të korrat. Ara e fermeres është në mesin e më të dëmtuarave në Keni.

Vitin e kaluar, autoritetet ia dolën ta kontrollonin atë që ishte cilësuar si dëmtimi më i madh prej gjinkallave që Kenia kishte përjetuar në 70 vjetët e fundit.

Kjo u bë nëpërmjet spërkatjes së koordinuar që mbuloi shpejt territoret e gjera.

Shumë prej tufave të gjinkallave gjendeshin në zona të pabanuara.

Por këtë vit, këto tufa paraqesin sfidë edhe më të vështirë.

Ato kanë zbritur në një vendbanim në Baraka, ku spërkatjet ajrore mund ta dëmtojnë bagëtinë, ndotin ujin dhe t’i dëmtojnë njerëzit.

“Kemi humbur shumë. Kemi fëmijë, kemi familje që jetojnë këtu dhe nuk dimë se çfarë t’u japim për të ngrënë. Gjërat kanë shkuar shumë keq. Nëse ia hedh një sy arës, e sheh që s’ka asgjë. Madje edhe lopët do të ngordhin”.

Karvanët e kamionëve të pajisur me makina spërkatëse drejtohen nëpër fusha nga ushtarët, të mbështetur nga shërbimi kombëtar i të rinjve.

Ata kanë udhëtuar nga baza e tyre në qytetin Isiolo, rreth 257 kilometra larg.

Kjo është dëshmi se sa në perëndim ka shtegtuar vala e re e gjinkallave nga vendet e tyre të shumimit në Somali.

Këto gjinkalla tani po kërcënojnë shkatërrimin e një rajoni me rëndësi jetike që njihet si shporta e bukës së Kenisë.

Është fillimi i kohës së të mbjellave, që karakterizohet nga shirat e mëdha nga marsi deri në maj.

Grupe nxënësish, disa ende në uniforma, vrapojnë përreth arave duke i rrëmbyer insektet nga ajri ose toka. Për ta, këto miliona gjinkalla janë para prej qielli.

Një kilogram gjinkalla kushton 0.5 dollarë, kur blihet nga një organizatë joqeveritare që ka për qëllim t’i shndërrojë gjinkallat në ushqim për bagëti.

Ambrose Nyatich nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrokulturë është specialist për sigurinë e ushqimit. Tregon për rrezikun nga gjinkallat.

“Ato mund të hanë dy gramë, që është dy herë më shumë sesa pesha e trupit të tyre. Dhe ky është rreziku me të cilin po përballemi qysh në fillim të kohës së të mbjellave”.

Nyatich e kupton përpjekjen për t’i përdorur gjinkallat për të siguruar një formë të të ardhurave prej tyre, por paralajmëron se ato mund të jenë helmuese. Nuk mund të dihet kurrë me siguri nëse janë spërkatur më herët ose jo.

Një tufë e zakonshme e gjinkallave të shkretëtirës mund të përmbajë deri në 150 milionë gjinkalla për kilometër katrorë, ​​sipas Autoritetit Ndërqeveritar të Zhvillimit të Afrikës Lindore.

Një tufë mesatare mund të zhdukë të korrat me një shpejtësi alarmante. Në një ditë, ato mund të gllabërojnë aq sa mund të ushqehen 2,500 njerëz.