Fjalë Kyçe

Inspektohen bizneset në Plazhin e Shëngjinit, shumica me pronarë nga Kosova

Inspektohen bizneset në Plazhin e Shëngjinit, shumica me pronarë nga Kosova

Aksionit anti-informalitet i është nënshtruar ditën e premte edhe Plazhi i Shëngjinit, ku 250 biznese në këtë plazh administrohen nga shtetas të Kosovës.

Zëvendësministrja e Financës dhe Ekonomisë, Dajna Soresen, e shoqëruar edhe nga kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Arben Seferi, zhvilluan një inspektim në zonën e Shëngjinit.

Inspektorati i Punës vetëm në sektorin e hoteleri-turizmit ka inspektuar 1.470 subjekte, nga të cilat rreth 30% , pra 495 subjekte kanë rezultuar me problematikë, me punonjës informalë. Në Qarkun e Lezhës dhe në veri në përgjithësi ka një tendencë më të lartë të informalitetit, shkruan Koha Ditore.

“Sot jemi këtu në Shëngjin, pikërisht për të inspektuar disa nga hotelet që operojnë gjatë sezonit turistik. Kuptohet që informaliteti në vetvete ka një tendencë pak më të lartë gjatë sezonit të verës. Është shumë e rëndësishme të vlerësohet fakti që Inspektorati i Punës është në një bashkëpunim shumë të ngushtë tashmë me Administratën Tatimore, ku në kohë reale ata janë në gjendje të shkëmbejnë informacion të vazhdueshëm dhe për të informuar të dyja palët. Megjithatë vihet re që biznesi ka filluar të ndërgjegjësohet dhe ka qenë bashkëpunues. Kjo falë qasjes që ka pasur Inspektorati, ku synimi nuk është penalizimi, por ndërgjegjësimi dhe sigurimi që të gjithë personat që janë të identifikuar si informalë të formalizohen. Nga korriku deri më sot janë rreth 1.000 persona, të cilët janë konstatuar si informalë dhe janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore”, tha Sorensen.