Fjalë Kyçe

Inspektori i Komunës së Shtimes i mori 1080 euro për një projekt, ky është vendimi i gjykatës

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit prej 1 muaji për inspektorin e ndërtimit të Komunës së Shtimes, T.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas deklaratës së Gjykatës Themelore të Ferizajt, i pandehuri dyshohet se gjatë muajit shtator të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018 në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër.

“Fillimisht, nga i dëmtuari H.Sh. ai merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë, si dhe shumën prej 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që ta pajisë me leje ndërtimi duke i shkaktuar dëme në vlerë prej 1.080 euro dhe të njëjtin nuk e ka pajisur me leje ndërtimi, por e ka lejuar që t’i ndërtonte dy shtëpi pa leje”, thuhet në deklaratë.

Departamentit për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Ferizajt e ka aprovuar kërkesën si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së./Gazeta Alo/