Fjalë Kyçe

Institucionet nuk zmbrapsen nga konkurset e “paligjshme”

Institucionet nuk zmbrapsen nga konkurset e “paligjshme”

Qindra konkurse të shpallura për pozita të reja pune në institucionet në nivelin qendror dhe lokal gjatë periudhës kohore pas 11 shtatorit, sipas shoqërisë civile janë joligjore dhe rrjedhimisht kërkohet anulimi i tyre.

Problemi, sipas shoqërisë civile, qëndron te fakti se të gjitha këto konkurse që janë shpallur duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil, janë jolegjitime sepse nga data 11 shtator, ky ligj është shfuqizuar dhe nga ajo periudhë kohore ka hyrë në fuqi një ligj i ri, respektivisht Ligji për zyrtarët publikë.

Papunësia nuk i pengon zyrtarët publikë të mbajnë deri në tetë vende pune

Ligji për zyrtarët publikë është miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës është shpallur më 11 mars të këtij viti, ku thuhet se “Ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”, çka sipas një përllogaritje të thjeshtë i bie se ka hyrë në fuqi më 11 shtator të këtij viti. Ky fakt është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe nga Zyra për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Administratës Publike.

Përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se që nga data 12 shtator të gjitha konkurset publike do të duhej të shpallen në bazë të ligjit të ri, përkatësisht atij për zyrtarët publikë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) potencon se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për zyrtarët publikë, më 11 shtator, janë identifikuar më shumë se 70 konkurse të shpallura për 261 zyrtarë publikë, konkurse këto, sipas IKD-së që bien në kundërshtim me ligjin.

Për nga numri i konkurseve të shpallura, duke u bazuar në ligjin tanimë të shfuqizuar, kampione, sipas IKD-së, është Ministria e Infrastrukturës, me gjithsej 20 konkurse të shpallura, derisa për nga numri i pozitave të shpallura, kampion është Këshilli Gjyqësor i Kosovës me gjithsej 91 pozita të shpallura.

Në Ligjin për zyrtarët publikë thuhet se institucionet publike do të sigurojnë përfundimin e konkursit të shpallur dhe procedurave të tjera të nisura para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procedurat që janë në vazhdim e sipër, kur ky ligj hyn në fuqi, theksohet se duhet të vazhdojnë sipas ligjit të ri.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet kanë shkelur ligjin ende pa filluar së zbatuari dhe për këtë arsye, sipas tij, konkurset duhet të anulohen.

Miftaraj thekson se IKD-ja ka zhvilluar diskutime me ministritë e ndryshme për këtë çështje, por kishte marrë përgjigje se këto pozita duhet të plotësohen para përfundimit të vitit, në mënyrë që buxheti i ndarë për këtë çështje të shpenzohet. Pavarësisht kësaj përgjigjeje që kishte marrë, Mifaraj thotë se IKD-ja nuk pajtohet me një konstatim të tillë.

“Nuk përjashtohet mundësia që kjo është bërë me qëllim, veçanërisht në këtë kohë fushate zgjedhore, ku partitë politike përmes njerëzve në administratën publike, mund të punësojnë përkrahës politikë dhe familjarë të cilët më pas gjenerojnë vota”, tha Miftaraj.

Përveç kontakteve dhe diskutimeve që kanë pasur me institucionet e Kosovës, Miftaraj tregon se IKD-ja për këtë shkelje ligjore ka kërkuar reagim edhe nga zyrtarë ndërkombëtarë në Kosovë.

“Ne kemi pasur konsultime edhe me ambasadat edhe me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe kemi dërguar reagimin e IKD-së. Presim që në ditët në vazhdim, sigurisht që mund të reagojnë dhe të kërkojnë nga institucionet që të kthejnë ligjshmërinë dhe të bëjnë anulimin e këtyre konkurseve”, theksoi ai.

Edhe Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në lidhje me këto konkurse, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Pavarësisht reagimeve të shoqërisë civile, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, për Radion Evropa e Lirë, shkurt janë përgjigjur se “për konkurset e shpallura në muajin shtator, procedurat e rekrutimit pritet të zbatohen në harmoni me Ligjin për zyrtarët publikë, i cili ka hyrë në fuqi, më 11 shtator 2019”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike, vetëm në muajin shtator janë aprovuar 513 kërkesa për konkurse (duke përfshirë edhe datën para hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë).

Konkurse janë hapur në nivelin qendror nëpër ministri, pastaj në agjenci të pavarura si dhe nivel komunal. Kurse nga janari e deri më tani, janë aprovuar 1744 konkurse.