Fjalë Kyçe

Interpoli kërkon 116 shqiptarë, krimi kryesor është trafiku i drogës

Interpoli kërkon 116 shqiptarë, krimi kryesor është trafiku i drogës

Shqipëria ka 116 persona të akuzuar për krime të ndryshme, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas të dhënave zyrtare të Interpol, Shqipëria ka numrin më të lartë të këtyre personave krahasuar me vendet e tjera të Evropës.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre rezultojnë të jenë shpallur në kërkim ndërkombëtar jo vetëm për llogari të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera ku ata dyshohet se kanë kryer krime.

Në listën e Interpolit, Shqipëria kryeson të gjithë vendet e tjera të Evropës, duke qenë pas Bosnjës me 99 persona të shpallur në kërkim, Bullgarisë me 50 persona, Rumanisë me 48 dhe Francës me 28 persona në kërkim. Vendet e tjera vazhdojnë të listohen me më pak.

Tre shtete evropiane, siç janë Islanda, Irlanda dhe Luksemburgu rezultojnë me nga vetëm 1 person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Çdo person i listuar në faqen e Interpol, ka një njoftim të kuq shoqëruar me foton, e cila sipas kësaj organizate, është një kërkesë e zbatimit të ligjit në të gjithë botën, për të gjetur dhe arrestuar përkohësisht një person në pritje të ekstradimit, dorëzimit ose një veprimi juridik i ngjashëm.

Një tjetër listë me persona të shpallur në kërkim, është ajo e policisë së shtetit shqiptar, me rreth 690 persona, mbi të cilët rëndojnë akuza për krime të ndryshme, nga vjedhjet e deri të vrasjet.

Për shkak të vështirësisë që policia ka hasur në identifikimin dhe vendndodhjen e personave të shpallur në kërkim, shpesh i është kërkuar ndihmë edhe qytetarëve, nëpërmjet publikimi të listave dhe fotove të këtyre personave edhe në rrjetet sociale.

Një pjesë e tyre rezultojnë të jenë edhe pa foto, gjë e cila e bën identifikimin  edhe më të vështirë duke pasur vetëm gjeneralitetet.