Fjalë Kyçe

Ish-komandanti i UÇK-së Selim Krasniqi, intervistohet nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit

Ish-komandanti i UÇK-së Selim Krasniqi, intervistohet nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit

Ish-komandanti i UÇK-së dhe Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren, Selim Krasniqi, është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se nga gjykata është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime të luftës.
“Në vendin tim dhe të shumë luftëtarëve të UÇK- së, do të duhej të ishin kriminelët, paramilitarët e fashistët serbë, e jo çlirimtarët. Këtë e thashë edhe para prokurorëve të Gjykatës Speciale”, ka thënë Krasniqi.
Selim Krasniqi, gjatë luftës, ka qenë komandat i UÇK -së, ndërsa pas luftës i Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren. Ai, bashkë me “Grupin e Prizrenit” është dyshuar për krime të luftës nga UNMIK-u.
Pesë vjet pas mbajtjes së paraburgimit, Krasniqi, bashkë me Bedri Zyberajn dhe Agron Krasniqin, janë shpallur të pafajshëm.

Krasniqi thotë se pavarësisht arrestimeve e burgosjeve, pjesëtarët e UÇK-së, vazhdojnë të ndiqen me kërkesë të Serbisë.
“Para prokurorëve do të duhej të ishin kriminelët serbë që vranë, masakruan, dogjën e shkrumbuan të rinj e të reja, pleq e plaka dhe vranë në mënyrat më mizore edhe fëmijët e vegjël, madje akoma pa lindur i nxorën nga barku i nënave”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, Gjykata Speciale po tenton të akuzojë viktimën e kriminelin.
“Nuk mund të flasim për drejtësi, por për një padrejtësi ndaj luftës së drejtë çlirimtare. Prokurorët patën sjellje korrekte e profesionale. Unë isha i dyshuar në bazë të thashethemeve. Uroj që e drejta të triumfojë”, shprehet Krasniqi.