Fjalë Kyçe

Ish-Kryeministri e quan Pal Lekajn kriminel

Ish-Kryeministri e quan Pal Lekajn kriminel

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje përballë situatës kur arrestohen zyrtarë të shtetit nën dyshimin se kanë shitur leje të vozitjes. Ka thënë se vajton dhe ndjen dhembje pse njerëzit po vriten në rrugë e zyrtarët e shtetit po arrestohen.

“Zoti Minister Lekaj, Une vajtoj dhe ndjej dhembje për njerëzit që po vriten në rrugë nga ata që zyrtarët e ministrise tuaj dyshohet se po ua shesin lejet e vozitjes, pa provim. Vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje në këtë situatë”, ka thënë Mustafa, në një reagim ndaj deklaratave të Pal Lekajt, i cili tha se Kryetari i LDK’së di më së miri të vajtojë.

Pal Lekajt “nuk po i vie keq” pse ka marrë sot akuza nga ish-Kryeministri i Kosovës për aferën me patentë shoferë. Ministri i Infrastrukturës është tallur me kryetarin në largim të LDK’së, Isa Mustafën. Ka thënë se ish-kryetari i Prishtinës e di një punë më së miri: vajtimin

“Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë, nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni”, i është përgjigjur Lekaj Mustafës.

Isa Mustafa sot tha se po vriten fëmijët sepse shumë shoferë kanë blerë lejet e tyre. Megjithatë Lekaj tha se janë zvogëluar për 25.71 për qind aksidentet me fatalitet.

“Shoku ish-kryeministër, me poshtë po të shfaq statistikat policore dhe tonat, për sa i përket aksidenteve me pasoja fatale, gjithsesi një jetë e humbur është shumë, por ne asnjëherë nuk ndalemi në kryerjen e detyrave tona, që e bëjnë trafikun rrugorë me të sigurt. Aksidentet e përgjithshme kemi zbritje për rreth 10%; Aksidentet me lëndime kemi ngritje për -15.33 %; Aksidente me dëme materiale në zbritje për 5 %; Aksidentet me Fatalitet janë në zbritje për – 25.71 %;”, tha Lekaj të dielën në një prononcim për Gazetën Express.

Lekaj thotë se që nga viti 2017 kur ka ardhur në pushtet, Mustafa kritikon një sektor që tashmë ka filluar të digjitalizohet.

“Prioritet i yni nuk është Isa Mustafa, janë rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij. Askush nuk është mbi ligjin, nëse ka veprime korruptive në cilindo sektor, drejtësia të ndërmerr veprimet e saja. Ne as me të voglin veprim nuk e bëjmë, sikur dikur nga segmente të ish-qeverisë, për t’i ndalë punën drejtësisë në zbardhjen e secilës thashetheme”, thotë Lekaj.

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka kërkuar përgjegjësi prej Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, pas arrestimit të 23 zyrtarëve që merren me dhënien e lejeve të vozitjes.

Mustafa ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi pse po vriten fëmijët nëpër rrugë nga shoferët që kanë blerë lejet e vozitjes.

“Ministri Lekaj, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, e ka gjetur të merret me opozitën. Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita. Ministri do të ishte më mirë të mendojë, si prind që është, se sa janë nga shoferët me leje të blera nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët tanë nëper rrugë. Dhe të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë sesi duhet të mbetet në pushtet”, ka shkruar Mustafa në Facebook./GazetaExpress