Fjalë Kyçe

Ish-presidentja Atifete Jahjaga reagon kundër vendimit të gjykatës për dënimin e gruas në Ferizaj

Ish-presidentja Atifete Jahjaga reagon kundër vendimit të gjykatës për dënimin e gruas në Ferizaj

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar për dënimin me 18 vite burgim të një gruaje e akuzuar për vrasjen e të dashurit të saj.

Jahjaga në postimin e saj shkruan se sistemi i drejtësisë po dijka të funksionojë kur kryesit e veprave të vrasjeve janë gratë, por sipas saj nuk po vepron njëjtë kur janë burrat si kryes të këtyre vrasjeve, shkruan lajmi.net.

“Çfarë ironie e hidhur e një populli i cili është vrarë nga okupuesit e tij me shekuj të tërë. Lirinë dhe pavarësinë e ndërtuam mbi premisat e barazisë, drejtësisë, dhe barazisë para drejtësisë! Nuk kemi bërë asgjë nëse shkas për devijimet nga këto vlera e parime bëhet gjinia!”, shkruan Jahjaga.

Ky është postimi i saj i plotë:

Gjykata Themelore në Ferizaj paska dënuar sot një grua, e cila ka vrarë të dashurin e saj në vitin 2018, me 18 vite burgim.

Sistemi i drejtësisë, pra, po dijka të funksionojë par excellence kur kryes të vrasjeve janë gratë.

Ndërsa, kur gratë janë viktima dhe vriten nga burrat e tyre, e tërë Kosova duhet të ngrihet në protestë për t’u bërë thirrje gjykatave që t’u shqiptojnë vrasësve dënimet e merituara.

Çfarë ironie e hidhur e një populli i cili është vrarë nga okupuesit e tij me shekuj të tërë.

Lirinë dhe pavarësinë e ndërtuam mbi premisat e barazisë, drejtësisë, dhe barazisë para drejtësisë! Nuk kemi bërë asgjë nëse shkas për devijimet nga këto vlera e parime bëhet gjinia!