Fjalë Kyçe

Ismaili thotë se Prishtina mund të zhvillohet në kryeqytetin më atraktiv në Ballkan

Ismaili thotë se Prishtina mund të zhvillohet në kryeqytetin më atraktiv në Ballkan

Kandidati i PDK-së për postin e kryetarit të Prishtinës, Uran Ismaili, njoftoi se dy fëmijët e tij i ka regjistruar në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet, aty ku tha se edhe ai e ka përfunduar shkollimin fillor, për të dhënë kështu simbolikën që beson në sistemin publik të edukimit.

Gjatë intervistës për emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai u shpreh se do të del me plan konkret që t’i zhvillojë shkollat dhe që fëmijët të jenë të aftësuar për botën digjitale, si dhe shpalosi idenë e tij në lidhje me “Prishtinën e Gjelbër”.

Përveç kësaj, Ismaili po ashtu foli edhe në lidhje me planin e tij rreth hapësirës së tulltores së qytetit, për të cilën tha se momentalisht është vend që tregon se Prishtinës nuk i është shfrytëzuar potenciali.

“Ky vend nuk është veç për të mbledhur pluhur, por që të zhvillohet potenciali. Me krejt këtë kapacitet kreativ që e kemi, me kompani softuerike që sot japin shërbime jashtë vendit, Prishtina e ka një mundësi që në këtë hapësirë rinisë se vet t’i ofrojë një qendër kreative ku ata do të lidhen me bashkëmoshatarë ose me ekspertiza të ndryshme, që me e realizu vetveten. Digjitalizimi është në program timin”

“Në mandatin tim e kam bërë planin që problemet e përditshme t’i përfundojë brenda dy vjetëve, siç janë parkingjet, çerdhet, shkolla, etj., sepse Prishtina ka kapacitet që ta arrijë këtë”.

“Unë besoj se do ta përfundoj jetën time në Prishtinë, nuk kam qytet tjetër. Qyteti për momentin ka një kaos urbanistik, por nga kandidatura ime unë po flas për Prishtinën digjitale e të gjelbër, e që të jetë destinacion i vizituar edhe nga të rinjtë e Evropës dhe jo veç nga diaspora. Për mua Prishtina e ka potencialin për t’u zhvilluar në kryeqytet me atraktiv në Ballkan”.

“Prishtina e së ardhmes duhet të jetë e gjelbër, qyteti të mos jetë vetëm për vetura, por edhe për këmbësorë e çiklistë. Pastaj mbeturinat që duhet t’i konsiderojmë për riciklim dhe t’i përdorim si energji ose gjëra të tjera. Pra Prishtina e gjelbër nënkupton që nga ndërtimi, shërbimet dhe hapësirat e gjelbra”.

Ndër planet e Ismailit është edhe që pjesa tek stadiumi i qytetit dhe afër Pallatit të Rinisë, ku momentalisht janë parkingjet, të bëhet hapësirë e gjelbër.

“Duhet të ketë intervenim ambicioz. Këtu të krijohet një park qendror, kjo duhet te jetë dyfishi i hapësirës së parkut të qytetit”.

“Parku qendror i Prishtinës do të jetë krejt përreth stadiumit dhe pallatit. Konsideroj që të ndërtohet një parking nëntokësor aty dhe që parkingjet në qytet duhet të jenë për banorë dhe qytetarë të kryeqytetit, por jo domosdoshmërisht të krijojmë hapësirat për njerëz që vijnë nga jashtë për t’i kryer punët e tyre dhe t’i zënë parkingjet”.

“Ky për mua është një intervenim që ka për t’i gëzuar qytetarët. Do të krijojë një oaze të qetësisë”, deklaroi Uran Ismaili.