Fjalë Kyçe

Italiani që kidnapoi gjermanen në Prishtinë mund të ekstradohet në Gjermani

Italiani që kidnapoi gjermanen në Prishtinë mund të ekstradohet në Gjermani

Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet gjermane, të hënën ka arrestuar një shtetas italian nën dyshimin se e ka rrëmbyer një shtetase gjermane. Viktima është liruar, ndërkaq i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ndaj 39-vjeçarit italian pritet të caktohet masa e paraburgimit, shkruan Gazeta Express

Policia i ka rënë në gjurmë shtetasit italian R.S. i cili e kishte grabitur një shtetase gjermane në Prishtinë dhe e kishte mbajtur mbyllur për dy ditë.

Në një njoftim të policisë është bërë e ditur se hetuesit kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë 39-vjeçarin e dyshuar.

“Hetuesit policorë pas grumbullimit të informacioneve në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit të përcjellë me një reagim të shpejtë të tyre, kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar: R.S mashkull, 39 vjeç, shtetas italian”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq policia ka bërë të ditur se viktima shtetase gjermane është dërguar për ekzaminim mjekësor, pasi e njëjta dyshohet se është mbajtur e mbyllur nga data 3 gusht.

Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“I dyshuari është me nënshtetësi italiane por jeton dhe vepron në Gjermani. E dëmtuara është shtetase gjermane. Prokurori e ka ushtruar kërkesën e paraburgimit ndaj të dyshuarit, ndërsa Gjykata do ta vendosë masën ndaj tij”, ka thënë Ulaj.

Ajo ka theksuar se nëse Gjermania do ta kërkojë ekstradimin e të dyshuarit, do të ndërmerren hapat e nevojshëm.

“Do të zhvillohen hetimet, nëse Gjermania e kërkon personin do të vazhdohet me procedura të ekstradimit. Por një herë do të zhvillohen hetimet dhe do të merren vendimet procedurale”, ka theksuar Ulaj.

Ndryshe rrëmbimi dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi për këtë vepër sillet prej 1 deri në 10 vjet burgim.

“Kushdo që e merr apo e mban personin, me qëllim që mos ta lirojë para se të nxjerr para, dobi pasurore apo dobi tjera nga ai apo personi tjetër, ose me qëllim që ta detyrojë atë apo personin tjetër që të kryej ose mos të kryej një veprim ose të durojë diçka, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në Kodin Penal të RKS’së.