Fjalë Kyçe

Ja çfarë thonë familjarët e 15 vjeçares që iku nga shtëpia

Ja çfarë thonë familjarët e 15 vjeçares që iku nga shtëpia

E mitura A.V nga Tërne i Suharekës, të hënën në mëngjes doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Ndërkaq, familjarët po dyshojnë se ajo shkoi në Tiranë.

Pas grevës disa javore në arsim që e organizoi SBASHK’u, nxënësit nga e gjithë Kosova filluan t’u kthehen bankave shkollore. Por, njëjtë nuk veproi edhe një 15-vjeçare nga Suhareka. Ajo të hënën, ditën e parë të shkollës, mori çantën dhe i tha familjes se u nis për në gjimnaz, aty ku vijonte mësimet, por destinacioni i saj nuk doli të jetë ky.

Besohet se ajo iku me një djalë jashtë Kosovës, duke bërë kështu që as familja e as askush tjetër të mos di gjë për vendndodhjen e saj. Ajo është raportuar të hënën në polici si person i zhdukur, nga ana e babit të saj.

Të martën ka qëndruar në familjen e vajzës së zhdukur. E për zhdukjen e 15-vjeçares, policia tashmë ka hapur hetimet, shkruan Gazeta Express.

Nëna e 15’vjeçares së zhdukur tregon se si vajza e hasretit iu largua nga shtëpia gjatë mëngjesit të ditës së hënë dhe nuk u kthye më.

“Dje në ora 10 ka dalë me shku në shkollë, nuk e di as çka ka pasë në çantë, qysh ka qenë e veshur ka dalë, veç një bluzë e ka marrë me vete. Deri më tani nuk ka qenë në lidhje me ndonjë djalë, por tani po thonë se është. Na ka telefonuar dhe na ka thënë se është shëndosh e mirë” ka thënë për Express nëna e 15-vjeçares.

Familjarët e saj e përshkruajnë të miturën si vajzë të urtë e nxënëse të mirë. Ndërkaq thonë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast në të cilin mund të dyshonin për ikjen e saj nga shtëpia.

“Ka qenë e urtë, ditët kur s’ka pasë mësim ka qëndru në shtëpi. S’ka shku me bujt asnjëherë askund. Ka qenë nxënëse e gjimnazit në Suharekë, ka qenë nxënëse e mirë, e sjellshme”, thanë familjarët e A.V’së.
Ndërkohë Gazeta Express, nga burime të saja mëson se 15-vjeçarja mund të jetë në Tiranë. Besohet se ajo atje ka ikur me një djalë, i cili mund të jetë i dashuri i saj. Për këtë punë, dyshime kanë edhe familja.

Ndërkaq Vesel Gashi, Zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit ka thënë se janë duke i zhvilluar kërkimet për gjetjen e 15-vjeçares.

“Jemi në kërkim të saj, por për shkak të procedurave nuk mund të themi asgjë më shumë”, është shprehur Gashi.

E raste të largimit nga shtëpia, ditëve të fundit janë raportuar shpesh në polici. Vetëm gjatë muajit që lamë pas, më shumë se dhjetë persona janë raportuar si të zhdukur nga ana e familjarëve të tyre.