Fjalë Kyçe

Ja sa milionë euro ka kushtuar Arena Kombëtare

Ja sa milionë euro ka kushtuar Arena Kombëtare

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Arben Dervishi, foli ditën e djeshme për ecurinë e punimeve në stadiumin “Arena Kombëtare”, afati i të cilit është vendosur shtatori, për t’u inauguruar në ndeshjen me Islandën.

Teksa ishte i ftuar në emisionin “Pressing” në “Abc News”, Dervishi zbulon shifrën që ka shkuar deri më tani ky impiant, si dhe problemet që po hasen me sheshin para stadiumit.

GJENDJA – Në këto momente, vazhdohet të punohet në “Arenën Kombëtare”, për të arritur atë që është premtimi ynë, në shtator të jetë gati për ndeshjen me Islandën. Patëm sërish një mbledhje me kompaninë, për problematikat që kemi rreth stadiumiës. Fasada është në përfundim, mbulimi ka përfunduar, tani jemi me pjesën brenda. Kishim edhe ekipin nga UEFA të ekspertëve, dhe ishin të kënaqur për cilësinë dhe kushtet që kërkon një stadium i kategorisë së katërt. Patën disa vërejtje, të cilat i rregulluam, dhe tani po punojmë për afatin. Punimet brenda kanë avancuar, tani kemi filluar porosinë e mobilimit. I kemi dalë para situatës, kemi bërë gati porositë, që kur të përfundojnë ambientet e brendshme, të kapim afatet.

PROBLEME – E vetmja gjë që ndoshta do na pengojë, është sheshi para stadiumit. E pengon, sepse nuk ke nga të hysh në stadium. Aty, bashkia ka një projekt për një parking, me rreth 200 vende. Aty do prishet ai objekti 3-katësh, do prishet dhe sheshi do hapet, për t’u bërë zonë pedonale. Këto punime duan dhe kohën e tyre, dhe ndoshta do na pengojnë për pjesën e shtatorit. Më datë 15 korrik fillojmë punimet për fushën, dhe duhet 1 muaj që fusha të jetë gati. Me zyrtarët e UEFA-s, kemi rënë dakord që të kemi një kontroll tjetër më 15 gusht, dhe në shtator, të jetë gati. Para se të bëjmë një ndeshje ndërkombëtare, kemi bërë gjithmonë një ndeshje kontrolli, me moshat, por mund të bëjmë edhe Superkupën e Shqipërisë. Do bëjmë një ndeshje për të parë kush janë defektet dhe problematikat.

KOSTO – Shifra e kostos nuk i intereson federatës. FSHF ka pasur një kontratë që ne i jepnim 10 milionë euro, dhe ambientet. Pjesën tjetër, e bën koncesionari, që do marrë ambientet tregtare. Mesa di unë, u nis për 45 milionë euro, por e ka kaluar 70 milionë euro deri tani. Ne duam ta kemi gati për në shtator, sepse kemi ndeshjen me Islandën, dhe e kemi detyrim fitoren. Mund ta hapim dhe me Francën, dhe ndoshta mund të mos fitojmë, por me Islandën na duhet patjetër fitorja, dhe do ishte shumë mirë të luanim në këtë stadium të ri.