Endriti, djali i presidentit Hashim Thaçi, ka mijëra euro në llogarinë e tij bankare.
Ai nuk ka kursyer asnjëherë para për udhëtime në qendrat më të famshme të botës.
Para se babai i tij të bëhej kryeministër, e më pas president, udhëtimet më të shpeshta të Endritit ishin në Zvicër dhe në Burojë të Skenderajt, vendlindjen e Hashim Thaçit. Por pasi Thaçi mori postin e kryeministrit e deri tash, udhëtimet e Endritit nuk kanë ndaluar kurrë.
Djali i presidentit poston në rrjete sociale fotografi nga vende të ndryshme të botës. Nga Austria dhe bjeshkët e saja që Endriti i ka postuar në vitin 2013, pasojnë vendet e tjera sikurse Parisi një foto nga Kulla e Eifelit e deri nga New York-u dhe Londra.
Udhëtimet e tij, të cilat bashkëmoshatarët e tij por edhe shumica e kosovarëve nuk mund t’i realizojnë për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave dhe shkallës së lartë të varfërisë, përfshijnë edhe vendet sikurse Oslo, Milano, etj, nga ku Endriti poston fotografi.
Udhëtime të tilla të Endritit ‘nuk dihet se nga kush financohen’, pasi që Endriti zyrtarisht nuk ka të ardhura personale mujore apo vjetore.
Por pavarësisht kësaj, ai në llogarinë e tij bankare posedon 13 mijë e 500 euro.
Pasuria e paluajtshme e babait të tij arrin në 610 mijë euro. 180 mijë euro Thaçi e ka vlerësuar një tokë bujqësore të tij prej 7 hektarësh. 80 mijë euro thotë se kushton shtëpia e tij. Ndërkaq shtëpija e tij e re, për të cilën thotë se nuk e ka blerë ende, kushton 350 mijë euro.
Të hyrat vjetore të familjes Thaçi shkojnë deri rreth 60 mijë euro të deklaruara. Prej tyre, rreth 40 mijë euro në vit Thaçi i merr nga pozita e presidentit të vendit: 33 mijë e 282 euro pagë vjetore, ndërkaq 5 mijë e 771 euro mëditje.
Ndërkohë bashkëshorja e tij, Lumnije Thaçi, si profesoreshë në Universitetin e Mitrovicës merr 19 mijë e 200 euro në vit.