Fjalë Kyçe

Jo ndërtimit të hidrocentraleve në qendrat e skitarisë

Jo ndërtimit të hidrocentraleve në qendrat e skitarisë

Federata Skitare e Kosovës ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për të ndalur ndërtimet e hidrocentraleve nëpër qendrat e skitarisë në Kosovë.

Kjo federatë ka thënë se i ka marrë me shqetësim të gjitha ndërhyrjet që po bëhen për ndërtimin e hidrocentraleve në qendrat turistike skitare të Kosovës, përfshirë Brezovicën, Brodin, Deçanin e Rugovën.

“Bordi Ekzekutiv i FSK-së, në emër të dhjetëra klubeve të skitarisë, qindra sportistëve, konstaton se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të shkaktojë pasoja të mëdha dhe të pariparueshme në qendrat turistike dhe skitare në vend. Mungesa e ujit në këto asete të mëdha të Kosovës, do të sillte ndërprerjen e garave të shumta të skitarëve së Kosovës, do të paralizonte komplet qendrat e skijimit, do ta ulte vlerën e këtyre qendrave në procesin e privatizimit, do të ulte veprimin e shumë bizneseve dhe do ta zvogëlonte në masë të madhe numrin e vizitorë në këto qendra”, thuhet në reagimin e FSK-së.

Kjo federatë po ashtu ka thënë se punimet për hidrocentralin në Brezovicë akoma nuk janë ndalur.

Në reagim, FSK-ja ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve shtetërore, që të marrin “masa të menjëhershme për ndaljen e shkatërrimit të qendrave skitare të Kosovës”,

Kjo federatë ka kërkuar që deri të bëhet një zgjidhje për sigurimin e ujit për qendrat skitare, të pushojnë punimet.

“Në sportin e skitarisë uji është elementi kryesor për zhvillimin e qendrës, pa të cilin nuk mund të trasohet shtegu për mbajtjen e garave, e njëkohësisht as nuk mund të prodhohet bora artificiale që është shumë e rëndësishme për zhvillimin e garave ndërkombëtare, si dhe për vetë cilësinë e shtegut. Besojmë që shteti të marrë masat e nevojshme sa më parë, dhe të bëjë një zgjidhje për qendrat skitare të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

Reagimi përfundon me paralajmërimin për protesta apo ndërprerjen e punimeve vetë nëse shteti s’merr masa.