Fjalë Kyçe

Jo të gjitha shkollat pajtohen për grevë

Jo të gjitha shkollat pajtohen për grevë

Ilir Krasniqi, profesor i Gjeografisë në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, po bëhet gati për të shkuar në klasën e XI/6 për ta mbajtur orën e parë të mësimit me nxënësit sikurse çdo ditë tjetër.

Ai, bashkë me stafin e mësimdhënësve dhe drejtorin e shkollës, njëzëri kanë vendosur që ta zhvillojnë mësimin dhe jo ta mbajnë grevën dy orët e para, raporton KTV.

Përveç që është kundër grevës, ky profesor thotë se nuk do që të bie pre e sindikatave politike.

Pavarësisht vullnetit për ta mbajtur mësimin, ishin nxënësit që erdhën në numër të vogël.

Vendimin e Sindikatës së Arsimit për mbajtjen e grevës dy-orëshe të premten nuk e kanë respektuar edhe disa shkolla të tjera dhe universitete.

Pavarësisht se u mor vendim nga Sindikata e Arsimit se i gjithë niveli arsimor në gjithë vendin do të mbajë grevë dy-orëshe të premten jo të gjitha shkollat i janë përgjigjur kësaj thirrje. Njëra ndër shkollat fillore në kryeqytet është shkolla “Faik Konica” ku mësimi është zhvilluar normalisht por që numër i nxënësve ishte i vogël”

Në shumë shkolla fillore ka pasur dallime nga vetë mësimdhënësit dhe drejtuesit e tyre që kanë qenë për dhe kundër grevës.

Madje, disa prej tyre, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se është absurde që të mbahet grevë dhe të dëmtohen nxënësit.

Kundër grevës ka qenë edhe Fakulteti Ekonomik, dekani But Deda i të cilit ka thënë se nuk mund të dëmtohen studentët, pavarësisht se nuk janë të kënaqur me koeficientin e përcaktuar me ligjin e ri për paga.

Por, ka mësimdhënës të cilët po e vlerësojnë të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, bazuar në kërkesën e Avokatit të Popullit.

Mësimdhënësja Safete Feka, e cila jep mësim në tri shkolla të ndryshme, në dy nga to thotë se kanë mbajtur grevë dhe në një tjetër jo.

Ndërsa, në shkollën “Naim Frashëri” të kryeqytetit ndonëse është mbajtur grevë nga sindikata e saj kanë thënë se po mashtrohen nga sindikatat, të cilat i kanë quajtur politike.

Ndërkohë, për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit të ri për paga pothuajse të gjitha çerdhet publike kanë mbajtur grevë.

Të pakënaqur me këtë veprim sindikal janë shprehur prindërit.

Sidoqoftë, nëse këto greva vazhdojnë, shoqëria civile ka paralajmëruar se do të thërrasë protestë gjithë-popullore.

Gjykata Kushtetuese të enjten vendosi masë të përkohshme për Ligjin e pagave deri në pranverën e 2020-s.