Fjalë Kyçe

Ka më shumë se një vit që Kosovën s’e ka njohur asnjë shtet, arsyetohet MPJ-ja

Ka më shumë se një vit që Kosovën s’e ka njohur asnjë shtet, arsyetohet MPJ-ja

Ishujt Barbados ishin të fundit që njohën pavarësisë e Kosovës, më 15 shkurt të vitit 2018.

Kështu, numri i njohjeve shkoi në 116.

Prej atëherë është bërë më shumë se një vit, qëkur Kosovës nuk i erdhi më asnjë njohje.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, thotë se njohjet nuk kanë ardhur shkaku i performancës së dobët të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sipas saj, nga kaosi që aktualisht është në vend, sukses konsiderohet që të mos ketë tërheqje të njohjeve.

Por, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Emrush Ujkani, thotë se, në fakt, njohjet për Kosovën janë ndalur për shkak se ende nuk ka një marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, Serbia, kështu e ka shfrytëzuar momentin për diplomaci agresive.

E, tërheqja e njohjeve, sipas Arton Musliut, Kosovës ia rrezikon krijimin e kaosit total në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se po punohet vazhdimisht për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.

Sipas MPJ-së, së fundmi, për vizitë në Kosovë ka qenë zëvendëspresidenti i Kenias dhe kryetari i Parlamentit të Etiopisë, dhe vizitat e tyre tregojnë qasjen e suksesshme diplomatike të aplikuar me këto vende afrikane.

Tutje, sipas MPJ-së, propaganda serbe është zhvilluar në shumë vende të botës, porse tashmë ky është kapitull i mbyllur dhe i dështuar i Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KTV-ja raportoi për tërheqjen e njohjes nga Ishujt Solomon dhe vendimi i ishte komunikuar Ambasadës së Kosovës në Canberra të Australisë.

Ishujt Solomon, shtet sovran në Oqeani, e kishte njohur Kosovën në gusht të vitit 2014.