Fjalë Kyçe

Kadri Veseli ka një rol që po ua jep Isa Mustafës, Avdullah Hotit dhe Albin Kurtit

Kadri Veseli ka një rol që po ua jep Isa Mustafës, Avdullah Hotit dhe Albin Kurtit

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka vendosur të tallet me dy partitë më të mëdha opozitare, duke iu vendosur pozita të shenjta Isa Mustafës, Avdullah Hotit, Albin Kurtit e Glauk Konjufës.

Ka thënë se këta katër zyrtarë të dy partive kryesore në Kosovë kanë rezervuar rolin e ndarësve të Kosovës për udhëheqësit e Shtetit.

Këto komente i ka shkruar në një tekst të gjatë të shkruar për të kundërshtuar thirrjen e Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme në ditën kur janë ftuar gjithë partitë dhe udhëheqësit institucional për të diskutuar për dialogun.

“Seanca e jashtëzakonshme e thirrur prej tyre, në thelbin e saj, është vetëm një lojë teatrore e manipulimit me qytetarët, me një skenografi në të cilën koalicionit qeverisës i kanë ndarë rolin e “ndarësve të Kosovës”, ndërsa për vete ka ruajtur rolin e “shpëtimtarëve të saj”. Isa, Avdullahu, Albini, Glauku, kanë marrë “rolin e shenjtë” për të shpëtuar Kosovën nga presidenti, kryetari i kuvendit, kryeministri, z. Limaj, Z. Ahmeti etj”, ka shkruar Veseli.

Edhe në këtë shkrim, Veseli ka dalë kundër idesë së Presidentit Hashim Thaçi për ndryshim e korrigjim kufijsh. Ka shkruar se edhe në këtë nismë do ta ruajnë edhe më shumë sovranitetin e Shtetit.

“Ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Do të vazhdojme të bëjmë atë që na e kërkon momenti historik dhe qytetarët: ta mbrojmë dhe avancojmë shtetin e pavarur e sovran te Kosovës”, ka shkruar ai.

Sidoqoftë, Veseli thotë të ketë pritur bashkëngjitjen e Mustafës e Kurtit në dialog siç ka bërë Shpend Ahmeti, duke mos menduar vetëm për propagandë e vota, por për interes të Kosovës.

Ka parashikuar se veprimet e VV’së e LDK’së do t’u kthehen bumerang të njëjtëve.

“Patjetër që kjo dëshirë do t’u plotësohet, por ky plotësim do t’u kthehet bumerang nga qytetarët, sepse partitë të cilat, në vend të përgjegjësisë shtetërore, zgjedhin propagandën për veten, nuk mund të gjejnë asnjëherë përkrahjen e publikut dhe zgjedhësve”, ka shtuar ai.