Fjalë Kyçe

Kamberi për shqiptarët në Preshevë: Vetëm 17 për qind janë në institucionet shtetërore lokale

Kamberi për shqiptarët në Preshevë: Vetëm 17 për qind janë në institucionet shtetërore lokale

Shaip Kamberi, Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka folur për diskriminimin me të cilin përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se shqiptarët në Luginën përbëjnë shumicën e popullsisë, por se vetëm 17 për qind prej tyre kanë poste në institucionet shtetërore lokale.

“Në Luginën e Preshevës, shqiptarët përbëjnë 71% të popullsisë, por kanë vetëm 17% të përfaqësimit në institucionet shtetërore lokale dhe të rrethit”, ka shkruar Kamberi në platformën X.

Ai ka thënë se Serbia i diskriminon shqiptarët.

“Serbia zgjedh mandate të numrit të punonjësve institucionalë duke pasqyruar strukturën etnike rajonale, duke theksuar diskriminimin e qeverisë ndaj shqiptarëve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Qeveria e Serbisë së fundmi ka reduktuar me mbi 1 milion dinarë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës për vitin 2024.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe ish-kryetari i këtij këshilli, Ragmi Mustafi, i cili ka thënë se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme duhet të përkujdeset, në bazë të kushtetutës, dhe të përmbushë nevojat për t’u kujdesur për shqiptarët jashtë trojeve, në veçanti ata të Preshevës, që janë të diskriminuar. Shqipëria duhet të krijojë fondin e nevojshëm, siç ka krijuar Kosova për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Mustafi.