Fjalë Kyçe

Kampioni i kik-boksit i bashkohet Nismës Socialdemokrate

Kampioni i kik-boksit i bashkohet Nismës Socialdemokrate

Azem Maksutaj, kampion i shumëfishit në sportin e kik-boksit i është bashkuar sot zyrtarisht Nismës Socialdemokrate. Ai u prit nga kryetari i partisë, Fatmir Limaj, i cili tha se Nisma është kthyer në një subjekt që po fton burrat dhe gratë e suksesshme të gjakut shqiptar që janë në diasporë dhe që të njëjtit kanë treguar rezultate të mëdha.

Limaj tha se Maksutaj ka qenë çdoherë me zemër të kombi i tij, ani pse ka jetuar dhe vepruar jashtë atdheut.

Për të, Limaj tha se është njeri që është kthyer në idealet e shumë fëmijëve të Kosovës, dhe se nuk ka hequr dorë asnjëherë nga flamuri i tij.

“Nisma Socialdemokrate është kthyer në një subjekt i cili po i afirmon dhe po i fton burrat dhe gratë e suksesshme të gjakut tonë që janë në diasporë dhe që kanë treguar rezultatet të jashtëzakonshëme, na kanë nderuar si komb e si vend me sukseset e tyre në te gjitha fushat. Siç po e shihni sot para jush edhe zyrtarisht po i dëshiroj mirëseardhje kampionit te shumëfishtë botëror, e ju e dini që deri më tani 14 herë kampion në kik-boks, burrit të madh të këtij vendi, i cili nga tani do të jetë pjesë e pandashme e Nismës Socialdemokrate, Azem Maksutaj, nipin e të madhit Dervish Shaqa”, tha Limaj.

Limaj tha se Maksutaj është dëshmia më e mirë se mërgata shqiptare çdoherë di të pozicionohet drejtë në momente historike.

“Azemi është dëshmia më e mirë se mërgata jonë shqiptare përherë ka ditur të organizohet dhe pozicionohet drejtë në momente historike për të mirën e vendit, sportit e rinisë në veçanti. Diaspora jonë përherë ka dëshmuar që di të jetë afër zhvillimeve politike duke ndihmuar dhe duke u bërë pjesë e ndryshimeve pozitive”, tha ai.