Një ide interesante për zhvillimin e turizmit në Drenicë dhe jo vetëm e ka dhënë kandidati për deputet nga radhët e PDK-së Ferat Shala.
Ai ka premtuar investimin në projektin rrugor prej Prekazi deri në Bjeshkët e Kosmaqit, ku janë gjetur themelet e një qyteti antik.
‘Ngjyrat e vjeshtës paskan nisur të bien mbi kurorën e maleve të Kosmaçit. Këtu jam në akset e kullave me mure të gjera të Kështjellës mbi Gradinë të Madhe. Deri para pak vjetësh kjo Kala ka ekzistuar vetëm në gojëdhëna dhe legjenda. Në 3-4 vitet e ardhshme besojmë shumë se kjo Kala do të jetë një atraksion i vërtetë turistik jo vetëm për Kosovën.’, ka thënë Shala.
Shala shprehet se u desh shumë angazhim që të sillej këtu një ekspeditë arkeologësh për ta nxjerr nga dheu këtë perlë të mrekullueshme të Drenicës së Mesme.
Kalaja e Vuçakut, thonë arkeologët, është tipike për qytetërimin e Antikitetit të Vonë dhe dikur shërbente si fortifikatë lufte dhe mbijetese për popullatën vendase.
Që nga viti 2015 Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës ka ndarë herë pas here fonde për gërmime në këtë Kala.
Kandidati për deputet Ferat Shala shprehet se tani kësaj ekspedite i duhet një dinamikë e shtuar; një bashkërendim i veprimeve me Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe me institucione të tjera të linjës.
“Ideja ime për ta ndërtuar një linje turistike me sens kulturor dhe historik, e cila do t’i jepte karakter përbashkues historisë së lashtë dhe asaj më të re, duke e lidhur me një rrugë automobilistike qendrën përkujtimore “Adem Jashari” në Prekaz, Kalanë e Vërbocit, Kalanë e Vuçakut, Kalanë e Llapushnikut dhe Parkun Memorial të UÇK-së në Kleçkë, po gjen përkrahje nga institucionet dhe nga qytetarët. Me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës të cilën do ta prijë z. Kadri Veseli, kam shpresë dhe besim të madh se kjo ëndërr e imja do të bëhet realitet”, shprehet në fund kandidati i zonës Ferat Shala, i cili po merr gjithnjë e më shumë mbështetje qytetare.