‘Me Bacën Ahmet (Morina) edhe pas më shumë se tri dekadash shoqërie e miqësie vazhdojmë të pajtohemi për shumëçka’, kështu shkruan në një postim në llogarinë e tij në Facebook kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.
Ai po vazhdon fushatën e tij për të takuar sa më shumë qytetarë për t’i njohur ata me vizionin e partisë së tij dhe liderit Kadri Veseli.
‘Mësues dhe ekonomist i përkushtuar, aktivist i palodhur dhe luftëtar trim, ai më ka shoqëruar gjatë gjithë veprimtarisë sime politike dhe ushtarake’.
‘Shumëçka kam mësuar nga ky njeri. Gjithmonë e kam admiruar karakterin e këtij burri; përkushtimin dhe përgjegjësinë në punë, saktësinë dhe korrektësinë në detyrë, urtësinë dhe modestinë në kuvende burrash’, shkruan ndër të tjera Shala.
Sipas kandidatit Shala, kontributi i tij në themelimin dhe administrimin logjistik të njësitit “Pëllumbi”, e bënë atë një hero të heshtur.
‘Ahmet Morina gjithmonë i dha Kosovës, e kurrë nuk kërkoi të marrë asgjë prej saj’, shkruan Shala, i cili është kandidat për deputet në legjislaturën e re që pritet të dalë nga vota e 6 tetorit.
Shala shprehet për Morinën se edhe sot, edhe pse në pension, ai këmbëngul të jetë pjesë e qytetarisë aktive, aktivist i palodhur në shumë projekte për të mirën e vendit dhe brezave që do të vijnë pas nesh.
‘Të rrallë janë burrat si Ahmet Morina – idealistë që u paraprijnë kohërave të tyre’, shkruan në fund Shala.