Fjalë Kyçe

Kapen 12 shtetase të huaja në lokalet e natës në Klinë

Kapen 12 shtetase të huaja në lokalet e natës në Klinë

Policia Rajonale e Pejës ka njoftuar të premten se një ditë më parë në këtë komunë ka zbatuar planin operativ të koduar “Kontrollimi i lokaleve 2019”.

Njësia e Hetimeve, Stacioni Policor në Klinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Pejës dhe Gjykatën Themelore në Pejë, kanë bërë implementimin e urdhëresës për kontrollimin e lokaleve të parapara me plan në katër lokacione të ndryshme në Komunën e Klinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë plan kanë qenë të përfshirë oficerë policorë nga Stacioni Policor në Klinë, NJRSH-DRP Pejë, DHTQNJ-DKKO, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Komunal”, thuhet në komunikatën e policisë. Gjatë operacionit policor, siç njoftuan organet e rendit, nga ana e Inspektoratit të Punës në të gjitha lokacionet janë hasur punëtorë duke punuar pa leje të punës dhe nga inspektorët komunalë, në mungesë të dokumentacionit është mbyllur një lokal. Në një lokal tjetër, sipas policisë, në njërën nga dhomat e gjumit është gjetur dhe është sekuestruar një sasi e vogël (rreth 1 gram) që dyshohet të jetë e llojit marihuanë dhe një aparat për bluarjen e marihuanës.

“Lidhur me këtë është njoftuar prokurori kujdestar dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, thuhet në njoftimin e policisë. Gjatë këtij kontrollimi të kryer, në dy lokale janë hasur duke punuar dymbëdhjetë (12) shtetase të huaja, të cilat janë shoqëruar në Stacionin Policor në Klinës.

“Lidhur me qëndrimin e tyre në Republikën e Kosovës është duke u marrë DHTQNJ-Pejë dhe Njësia për Migracion”, thuhet në komunikatën e policisë. Nga burime brenda Inspektoratit Rajonal të Punës mësohet se lokalet e kontrolluara kanë qenë lokale nate.