Fjalë Kyçe

Kapen 600 kilogramë domate të kontrabanduara nga Serbia

Kapen 600 kilogramë domate të kontrabanduara nga Serbia

600 kilogramë domate për të cilat nuk kishte dokumentacion përcjell, po tentonin të futeshin ilegalisht në Kosovë nga Serbia, mbrëmë në Leposaviq, saktësisht në orën 21:55.

Policia Kufitare për këtë rast ka njoftuar edhe Prokurorinë, e rasti është iniciuar në procedurë të rregullt.

Sipas Policisë së Kosovës furgonin e drejtonin dy burra të nacionalitetit boshnjakë, me shtetësi serbe. Rasti është hapur si “tregti e ndaluar”.

“Raportohet se njësia policore ka ndaluar dy të dyshuar meshkuj boshnjakë shtetas të Serbisë të cilët me një kombi transportonin rreth 600 kg domate pa dokumentacion përcjellës. Me vendim të prokurorit të rastit iniciohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Lajmi është dhënë edhe në mediat serbe. KoSSev njofton për arrestimin e dy shtetasve serbë me 600 kilogramë domate pa dokumentacion përcjellës, derisa të njëjtin e ka transmetuar edhe agjencia e lajmeve FoNet.

Kah mesi i këtij muaji, në veri u fol për një “krizë humanitare”, pas taksës 100 për qind që Kosova i ka vënë mallrave që hyjnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër, serbët lokalë kanë deklaruar se “nuk blejnë produkte të tjera, pos aso serbe”.

Qeveria e Kosovës i ka vënë në nëntor të vitit 2018 Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës masë tarifore prej 100 për qind, për mallra që duan të importojnë në Kosovë. Në aspektin politik kjo është bërë pengesë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, meqë shteti serb ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës. Ramush Haradinaj është dorëhequr nga posti i të parit të ekzekutivit, e çështjen e taksës e ka përfshirë edhe në letrën e dorëheqjes, duke thënë se “Kosova e jep tregun për Serbinë vetëm në këmbim të njohjes”.