Fjalë Kyçe

Kardinalët e Kishës dalin me kritika të hapura ndaj Papa Françeskut

Dy kardinalë të shquar të Kishës Katolike Katolike kanë dalë me kritika të hapura ndaj Papa Françeskut, duke u bërë thirrje peshkopëve që t’i japin fund bashkëfajësisë së tyre dhe heshtjes mbi rastet e abuzimit.

Kardinalët Burke dhe Brandmüller thonë se Kisha ka fajësuar padrejtësisht priftërinjtë për abuzim me autoritetin e tyre. Në një letër të hapur, ata gjithashtu nxjerrin si rrallëherë një kritikë të hapur ndaj Papës. Ajo vjen në prag të një samiti të peshkopëve në Romë për të diskutuar rastet e abuzimeve. Samiti i jashtëzakonshëm është thirrur nga Papa si një përpjekje për t’u marrë me skandalet që trondisin Kishën Katolike.

Tregime të abuzimeve kanë dalë në çdo cep të botës dhe Kisha është akuzuar për mbulimin e krimeve të kryera nga priftërinjtë. Por çfarë në të vërtetë duan të thonë peshkopët me kritikat e tyre? Kardinalët Raymond Burke, nga SHBA dhe Walter Brandmüller nga Gjermania, të dy nga krahu tradicionalist i Kishës Katolike, refuzojnë se rastet e abuzimit janë rezultat i “klerikalizmit” – një grup burrash që abuzojnë me pushtetin e tyre dhe e mbrojnë njëri-tjetrin. “Për abuzimet fajësohet klerikalizmi, por faji i parë dhe kryesor i klerit nuk qëndron në abuzimin e pushtetit, por në largimin nga e vërteta e Ungjillit.

“Mohimi publik, me fjalë dhe me akte, i ligjit hyjnor dhe natyror, është në rrënjët e së keqes që korrupton qarqe të caktuara në Kishë”.

Ata gjithashtu kritikojnë Papa Françeskun për mos përgjigje në pyetjet në lidhje me çështjen nëse Kisha duhet të lejojë katolikët e divorcuar dhe të rimartuar të marrin Kungimin e Shenjtë – pasi atyre aktualisht u mohohet diçka e tillë. Këtë pyetje iu paraqitën Papës në vitin 2016 nga katër kardinalë, përfshirë Burke dhe Brandmüller.

Është një çështje krejtësisht e palidhur me samitin e së enjtes, por ka shkaktuar kundërthënie në Kishë, duke nxitur shumë klerikë të vënë në dyshim drejtimin që Papa po i jep Kishës. Kjo tregon se klerikët që janë të pakënaqur me Papa Françeskun po rriten gjithnjë e më shumë, thonë vëzhguesit.

Çka është takimi i nivelit të lartë? Samiti do të ndiqet nga drejtuesit e të gjitha konferencave kombëtare të peshkopëve nga më shumë se 130 vende. Ky është fillimi i një përpjekjeje për të trajtuar një sëmundje që ka helmuar Kishën që prej të paktën viteve 1980, thotë redaktori i religjionit të BBC-së, Martin Bashir.