Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka njoftuar se e ka formuar “Partinë Amerika”.
Vendimi për hapjen e kësaj partie, u bë një ditë pasi ai i pyeti ndjekësit e tij në X nëse duhet ta formojë një parti të re për skenën politike amerikane.
“Me një raport, 2 me 1, ju doni një parti të re dhe duhet ta keni. Sot, Partia Amerika është formuar për t’ua kthyer lirinë”, ka shkruar ai.
Vendimi i Muskut u bë publik pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi të premten një ligj me të cilin parashihen ulje të mëdha të taksave, e që është kundërshtuar ashpër nga themeluesi i “Teslas”.
Vetë Musk ka ndihmuar me qindra miliona euro fushatën e Trumpit për t’u rizgjedhur president. Ai udhëhoqi pak kohë edhe Departamentin e sapokrijuar për Efiçiencë Qeverisëse nën administratën Trump, me qëllim reduktimin e shpenzimeve, por dyshja pati përplasje të ashpra më vonë.