Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se gjatë katër viteve që ka qeverisur ai, nuk ka pasur asnjë aferë korruptive nga zyrtarët komunalë.
Ai thotë se qasja e tij ka qenë progresive, teksa ka shtuar se ka pasur investime të ndryshme edhe nga jashtë.
Tutje ai ka shtuar se qytetarët e dinë se në komunën e tij nuk ka pasur korrupsion dhe ka pasur drejtësi në secilin aspekt.
“Qytetarët e dinë se nuk ka korrupsion në komunë e dinë se ka drejtësi”, thotë ai.
“Ka drejtësi në punësim. Kush ka ankesë në konkurset në punësim mund të shoh testet dhe mund të dëgjojë edhe intervistat që incizohen. Për çështjen e transparencës i keni parë raportet”, përfundon ai.
Ai ka komentuar koalicionet e VV-së, parti me të cilën ka shkuar në balotazh, me AAK-në dhe AKR-në. Ai thotë se këto tregojnë se sa joparimorë janë kandidatët e VV-së në këtë komunë që kanë bërë koalicion me parti që i kanë kritikuar në të kaluarën.