Edhe pas katër muajve, Prokuroria Themelore e Prishtinës, nuk ka ngritur aktakuzë për rastin e abuzimit seksual të vajzës nga Drenasi.
Edhe pas katër muajve, Prokuroria Themelore e Prishtinës, nuk ka ngritur aktakuzë për rastin e abuzimit seksual të vajzës nga Drenasi.
Në muajin shkurt të këtij viti, i gjithë opinioni kosovarë ishte tronditur nga lajmi i abuzimit seksual të një të miture në Drenas nga një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë skandal, ishte i përfshirë ish-zëvendësshefi i hetimeve në policinë e Drenasit, Vesel Veseli, profesori, Shkëlzen Xhekaj, avokati Gazmend Halilaj dhe gjinekologu që dyshohet se kreu abortin e së miturës, Fehmi Ahmeti.
Mirëpo edhe pas kaq shumë muajve, Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, pavarësisht se ishte paralajmëruar që në muajin maj do të ndodhte një gjë e tillë.
Në një përgjigje për lajmi.net, prokuroria ka bërë të ditur se, e gjithë kjo vonesë është për shkak se në këtë rast janë zgjeruar hetimet në një masë të madhe.
“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i rastit, është duke punuar me një intensitet të lartë lidhur me zbardhjen dhe sqarimin e kësaj çështje penale. Meqenëse gjatë trajtimit të këtij rasti hetimet janë zgjeruar në një masë të madhe, në momentin e ngritjes së aktakuzës do të njoftoheni në kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhënë për lajmi.net.
Kujtojmë se sipas dosjes së prokurorisë, vajza ishte dhunuar seksualisht nga profesori i shkollës së mesme, Shkëlzen Xhekaj dhe polici, Vesel Veseli të cilët ende vazhdojnë të jenë në arrest shtëpiak.
Sipas prokurorisë dhe vet viktimës, ajo kishte abortuar në një klinikë private në Prishtinë pasi ishte detyruar nga polici, Vesel Veseli, dhe pas publikimit të këtij skandali ishte arrestuar edhe gjinekologu Fehmi Ahmeti mirëpo, ai është liruar nga akuzat dhe është rikthyer në punë.
Po ashtu, si i dyshuar ishte edhe avokati Gazmend Halilaj, mirëpo Halilaj gjatë këtij muaji është liruar nga arresti shtëpiak.
Skandali seksual i publikuar në shkurt të këtij viti kishte ngjallur reagime të mëdha në opinion.
Përveç raportimeve të medieve botërore, në Prishtinë dhe Drenas ishin mbajtur protesta masive në të cilat ishte kërkuar drejtësi për viktimën dhe ndëshkim për abuzuesit.