Fjalë Kyçe

KEDS obligohet të kthejë njehsorët aty ku ishin më parë

KEDS obligohet të kthejë njehsorët aty ku ishin më parë

Fitim Haziri, asamlist në Kuvendin Komunal të Podujevës shprehet se Kompania KEDS po shkel të drejtat e qytetarëve me vendosjen e njehsorëve në majë të shtyllave elektrike. Haziri i cili përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje shprehet se ka marrë edhe mbështetjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe i bën thirrje KEDS-it që t’i kthejë njehsorët aty ku kanë qenë më parë.

‘Informimi është e drejtë themelore e njeriut. Informim i cili duhet të jetë transparent, e si mund të ketë transparencë kur në lokacione të ndryshme të Komunës së Podujevës janë vendosur njehsorë në maje të shtyllave elektrike, ku qytetarët nuk kanë qasje në leximin e këtyre njehsorëve’, shprehet Haziri.

Lëvizja Vetëvendosje më 4 mars 2019, ka Propozuar Vendimin në Kuvendin e Komunës së Podujevës, që kompanisë KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës, propozim i cili ishte përkrahur nga të gjitha partitë opozitare, përveç LDK-së e cila e udhëheq Komunën e Podujevës.

Edhe pse Propozim Vendimi nga LVV kishte kaluar me 17 vota pro, 16 kundër dhe1 s’ka votuar fare, kryesuesi i Kuvendit kishte konstatuar se Propozim Vendimi nga radhët e LVV nuk kalon. LVV menjëherë ka bërë ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke ofruar prova nga xhirimet që ishin bërë gjatë mbajtjes së seancës dhe MAPL-ja Propozim Vendimin nga LVV e pranon si të kaluar pavarësisht konstatimit të manipuluar të Kryesuesit të Kuvendit.

‘Qytetarë të Komunës së Podujevës ne jemi përfaqësuesit e juaj në Kuvendin Komunal, ne duhet t’i mbrojmë të drejtat dhe interesat e juaja në çdo fushë të jetës, e jo për interesa të ngushta të individëve t’ua shkelim këto të drejta. Të drejtat e juaja nga kompania KEDS kanë filluar të shkelën që kur kryetari Veliu ka lejuar këtë kompani t’i vendosë këta njehsorë në maje të shtyllave elektrike’ ka deklaruar Haziri.

Sipas Hazirit, e drejta e informimit në mënyrë transparence është e drejtë themelore e patjetërsueshme e njeriut, e cila është e garantuar edhe në kartën e të drejtave të njeriut, në këtë rast kjo e drejtë u është mohuar qytetarëve, pasi informohen në mënyrë jotransparente nga kompania KEDS për shpenzimet e energjisë elektrike, sepse ata nuk kanë qasje në këta njehsorë edhe pse një aplikacion për ta shikuar gjendjen e njehsorëve është paraqitur për të cilin nuk dihet saktësia e tij.
Barazia është e drejtë esenciale e njeriut edhe në këtë rast kompania KEDS nuk ka vepruar barabartë me të gjithë qytetarët, për disa janë vendosur njehsorët poshtë shtyllave elektrike, për disa sipër dhe për disa brenda shtëpive.

Për të gjitha këto padrejtësi, Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur Vendimin i cili ka kaluar që kompanisë private KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës si dhe të gjithë njehsorët të cilët janë vendosur në maje të shtyllave elektrike KEDS duhet t’i zhvendos poshtë në një afat prej 90 ditëve.

Haziri shprehet se nuk duhet të lejohet që KEDS në emër të investimeve që po i bën, të bëjë padrejtësi ndaj qytetarëve. Shtrirjen e rrjetit elektrik në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Kompania KEDS e ka obligim, ndërsa obligimi jonë si qytetarë është që t’i ndalim këto padrejtësi.