Fjalë Kyçe

Kelkos heq dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve Loshaj dhe Gacaferi

Kelkos heq dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve Loshaj dhe Gacaferi

Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast është bërë publike që Kelkos heqë dorë nga paditë për shpifje ndaj Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferit.

Avokatja Rina Kika, përfaqësuese ligjore e aktivistëve, ka thënë se më datë 18 tetor është njoftuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e “Kelkos Energy” për heqjen dorë nga paditë për shpifje ndaj aktivistëve mjedisorë Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

“Avokatët e Kelkos më kanë përcjellë njoftimet zyrtare për heqje dorë nga të dy paditë të cilat iu janë përcjellë Gjykatës Themelore të Pejës, Dega Deçan. Ata kanë hequr dorë nga të dy paditë, pa asnjë kusht dhe menjëherë”, ka thënë Kika.

“Me heqjen dorë nga këto dy padi u dëshmua ajo që e kemi thënë gjatë tërë kohës, se Kelkos e ka ditur se nuk mund të fitojë me këto padi të pabaza në gjykatë dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata ta fitojnë procesin, qëllimi ka qenë frikësimi i aktivistëve që i kritikojnë operimet e kësaj kompanie”, ka vazhduar ajo.

Ndërkaq, aktivistja Shpresa Loshaj, tha se Kelkosi i ka paditur duke menduar se do të jenë vetëm.

“Ata menduan se ne do të jemi vetëm dhe do ta shterim energjinë duke u mbrojtur nga ta, por energjia për mbrojtjen e Lumëbardhit është e pashtershme, falë mbështetjes së aktivistëve dhe qytetarëve nga e mbarë Kosova”, ka thënë Loshaj.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL ka thënë se tërheqja e padive nga Kelkos vjen si rezultat i kundërshtimit nga një numër i madh i organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në Kosovë, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga Kelkos që të heqë dorë nga paditë ndaj aktivistëve.

“Aktivistët ishin paditur për shpifje për shkak të deklaratave që kritikonin kompaninë në lidhje me operimet e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit. Kelkos në qershor të vitit të kaluar ka kërkuar nga Shpresa Loshaj 100,000 euro kompensim dëmi për kinse “dëmtim të imazhit” për shkak të deklaratave të saj. Ndërkaq, nga Adriatik Gacaferi kanë kërkuar 10,000 Euro kompensim dëmi për shkak të një postimi në Facebook në lidhje me futjen e ujit të lumit në gypat e hidrocentraleve”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.