Fjalë Kyçe

Këngëtarja serbe në Eurovizion e këndon këngën shqipe të Peristerit

Këngëtarja serbe në Eurovizion e këndon këngën shqipe të Peristerit

Shqipëria e përfaqësuar nga këngëtarja Anxhela Peristeri u rendit e 21-ta në Eurovizion duke grumbulluar 57 pikë. Gjatë qëndrimit në Hollandë, Anxhela Peristeri ka përshëndetur ndjekësit me simbolin tonë kombëtar, shqiponjën me dy krerë. Ky veprim u cilësua si provokim në mediat serbe të cilat reaguan duke shkruar një artikull dhe e konsideruan “skandal në Eurovizion”.

Po si i kishte Anxhela marrëdhëniet me 3 vajzat e grupit “Hurricane” që përfaqësuan Serbinë në Eurovizion?

E ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në emisionin Soiree me Jonida Shehun në ABC, Anxhela ka treguar se mes tyre nuk ka patur aspak kontradita, madje e kanë komplimentuar njëra-tjetrën nga afër.

“Këngëtaret e Serbisë, gjatë gjithë kohës më thoshin që je e mrekullueshme, kënga jote është shumë e bukur. Nuk është se patëm kontradita me njëra-tjetrën. Madje e kanë kënduar edhe këngën time në shqip”, është shprehur Anxhela Peristeri.

Këtë e mbështeti edhe Ardit Çuni, i cili tha: “Marrëdhëniet i kisha shumë të mira se na pëlqyeu suporti që na dhanë. Ishte surprizë për mua dhe ia thashë edhe Anxhelës që na kënduan këngën. Dhe për ato është një risk siç është edhe për ne në rastin konkret. Ishte për t’u vlerësuar kjo pjesa”.

Anxhela Peristeri bashkëpunoi me koreografen suedeze dhe artisten për performancat skenike, Sacha Jean-Baptiste, e cila e prezantoi në mënyrën e duhur performancën e Anxhelës.

Anxhela këndoi në gjuhën shqipe, pa kuptuar gjë të huajt, përveç titullit, një fjalë e ndërkombëtarizuar: “Karma”.