Fjalë Kyçe

Këpucë të shqyera, mungesë të uniformave e pajisjeve, Policia e Kosovës jep detaje për furnizimet e reja

Këpucë të shqyera, mungesë të uniformave e pajisjeve, Policia e Kosovës jep detaje për furnizimet e reja

Të shumta janë problemet me të cilat përballen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Por, përpos mos plotësimit të kushteve të cilat janë kërkuar ndër vite, si pensionimi i parakohshëm, sigurimet shëndetësore, apo edhe sigurimi i shujtave ushqimore e shumë të tjera, këta të fundit përballen edhe me mungesë të uniformave.

Shpesh herë të njëjtit janë parë me uniforma të shqyera, e këpucë krejtësisht të dëmtuara.

Kjo pamje e zyrtarëve policorë, në shumë raste me uniforma krejtësisht të dëmtuara ka bërë që kërkesat për sigurimin e uniformave të tyre të jenë edhe më të mëdha.

Por pavarësisht këtyre kërkesave, këta të fundit vazhdojnë që këto këpucë të dëmtuara t’i rregullojnë vetë, e uniformat shpesh herë t’i marrin nga njëri tjetri (në mënyrë që të mund të kenë të siguruara së paku disa këmisha).

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Policinë e Kosovës, nga ku është theksuar se PK në vazhdimësi kujdeset që të siguroj pajisjet e nevojshme logjistike , përfshirë veshmbathjet, uniformat dhe pajisjet e nevojshme policore për të gjithë zyrtarët policorë, me qëllim të mundësimit të realizimit të detyrave operative dhe administrative që secili zyrtar i Policisë së Kosovës të jetë i pajisur me to.

Pavarësisht mungesave të shumta, nga Policia kanë deklaruar se në vazhdimësi janë furnizuar me pajisje logjistike dhe uniforma.

“Në vazhdimësi sipas planifikimeve dhe afateve kohore PK-ja furnizohet me pajisje logjistike dhe uniform atë cilat iu dedikohen zyrtarëve policor të cilët furnizohen sipas planifikimeve dhe procedurave të parapara”,thuhet në përgjigjen e tyre.

Madje sipas zyrës për informim nga Policia e Kosovës thuhet se PK-ja çdoherë në kuadër të mundësive buxhetore ka bërë dhe bënë të gjitha planifikimet e nevojshme si dhe ka zhvilluar procedurat ligjore për të siguruar furnizimet e nevojshme që nevojiten për kryerjen e detyrave të policisë.

E përpos mungesave elementare në veshmbathje, Policia e Kosovës pati edhe mungesa të dukshme të jelekëve antiplumb, në kuadër të Njësive të Specializuara, problem ky që duket se është afër gjetjes së zgjidhjes.

Nga ky institucion i sigurisë u tha se disa projekte të caktuara si projektet për furnizim me jelek antiplumb, uniforma të rregullta policore, duke përfshirë këtu mbathje dhe uniforma për Njësi Speciale për shkak të ankesave nga Operatorët e ndryshëm Ekonomik që parashihen sipas ligjeve në fuqi të cilat kanë përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Dhe tani pas funksionalizimit të OSHP-së menjëherë kemi vazhduar tutje sipas procedurave dhe ligjit të prokurimit”,thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Duhet përkujtuar që mbi 9 mijë zyrtarë policorë të Kosovës, të cilët funksionojnë anembanë vendit shpesh herë janë përballur me rreziqe të drejtpërdrejta.

Kësisoj të njëjtëve është mëse e nevojshme që t’u sigurohen edhe pajisjet e nevojshme në mënyrë që të jenë të inkuadruar në mënyrën e duhur në aspektin e punës.

Lidhur me mungesat e lartcekura shpesh herë është debatuar edhe në Komisionin për Siguri në kuadër të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesat për furnizim të uniformave dhe pajisjeve është theksuar se do të bëhet me funksionalizimin e OSHP-së, që për një kohë të gjatë qëndroi totalisht e bllokuar