Fjalë Kyçe

Keqpërdoret emri i Xhevdet Qeriqit, dikush mashtroi tre persona se do t’i pajisë me libreza të veteranëve

Keqpërdoret emri i Xhevdet Qeriqit, dikush mashtroi tre persona se do t’i pajisë me libreza të veteranëve

Një person nga Fushë Kosova ka keqpërdorur emrin e kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, duke mashtruar kështu disa persona se do t’i pajisë me libreza të veteranëve dhe do të punësojë të afërmit e tyre.

Rastin tashmë e ka paraqitur në Policinë e Kosovës, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Qeriqi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se se më datën 15 korrik e ka kuptuar se emri tij është keqpërdorur nga dikush.

“Më 15 korrik e kam kuptuar se një person e ka keqpërdorur emrin tim, duke mashtruar tre persona se është i afërm i im, dhe që do të ju bëjë libreza të veteranëve. Unë kam takuar tre viktimat, të cilët më kanë treguar se ai i kishte premtuar se do të bëjë edhe punësime. Ai u ka marrë edhe para, së bashku me tre viktimat jemi shku në Polici dhe e kemi paraqit rastin. Unë kam arritur ta identifikoj personin, i cili është nga Fushë Kosova, por që deri tani ai nuk është arrestuar. Rastin e kam lajmëruar edhe në Prokurori”, deklaroi ai.

Qeriqi tha se është prekur shumë nga ky rast, dhe se ai asnjëherë nuk ka mashtruar askënd, duke shtuar se do të bëjë çmos që të zbardhet ky rast.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga Policia e Kosovës, por që deri tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ndryshe, çështja e veteranëve të luftës është rregulluar me ligj në Kosovë.

Kategoritë e trajtuara në këtë ligj, varësisht nga statusi dhe kriteret e përcaktuara, për shkak të sakrificës sublime dhe kontributit shumë të lartë në luftën çlirimtare të UÇK-së, janë përfitues edhe të beneficioneve të veçanta.

Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, ka hyrë në fuqi në vitin 2011.

1.7. Invalid i luftës së UÇK-së – pjesëmarrësi i UÇK, organizmi i të cilit është dëmtuar mbi 20% për shkak të plagës, lëndimit apo sëmundjes që ka pësuar në luftë, apo si i internuar (i burgosur) në burgjet apo kampet e armikut dhe shtetasi i huaj si veteran i UÇK –së , nga 1997- 1999;

1.8. Invalid civil i luftës – personi, organizmi i të cilit është dëmtuar së paku 40 % si pasojë e plagëve të marra nga armët, sëmundjes së fituar në burgjet apo kampet gjatë luftës së fundit në Kosovë, prej datës 27.02.1998 deri me datën 20.06.1999, si dhe personat e tjerë, organizmi i të cilëve është dëmtuar së paku 40 % si pasojë e mjeteve shpërthyese të mbetura pas përfundimit të luftës;

1.9. Veteran i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar nga komandat (shtabet e zonave operative të UÇK-së),
përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999″, thuhet në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre.