Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar lidhur me kërcënimin ndaj korrespondentes së televizionit regjional N1 në Kosovë, Zana Cimili, për kërcënimet me jetë që ka marr përmes rrjeteve sociale.
“Personi që e kërcënoi gazetaren Cimili, në një fotografi të vajzës së saj të postuar në Instagram, ka shkruar një koment në gjuhën serbe duke thënë se gjithnjë e më shumë e ka dëshirë jetësore që ta vras një shqiptar. “Bile, pa problem me dhëmbë do e kisha shqyer një fëmijë shqiptari. Është e pabesueshme kjo. Ndërsa ti me punën tënde ke kontribuar, të falënderohem për këtë.”- ka shtuar më tutje ai.
Për më tepër, personi në fjalë, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, ka vazhduar me nxitje të gjuhës së urrejtjes duke shtuar: “Shpresoj që një luftë e re do shpërthej në Kosovë dhe që kësaj radhe terroristët dhe okupatorët shqiptarë të kenë mundësinë të ndjejnë gjithë atë zemërim të serbëve, dëshirën për drejtësi dhe liri!””, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK ka bërë thirrje për distancimin nga gjuha e tillë dhe kjo qasje e rrezikshme ndaj gazetarëve.
“Të gjitha kërcënimet ndaj tyre, posaçërisht thirrjeve për dhunë ndaj grave gazetare, janë të papranueshme.
AGK pret nga institucionet kompetente që në kohën më të shkurtër të zbulojnë se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve. Duhet vepruar menjëherë sepse reagimi i ngathët bën që rastet e këtilla të marrin hov, duke pas si qëllim futjen e frikës tek gazetarët”, thuhet më tej në reagim.