Në 20 vjetorin e masakrës së Rezallës, në një akademi përkujtimore janë kujtuar 98 viktimat.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se sot po përkujtohet një nga masakrat më barbare të kryer mbi popullatën civile.
Ai tha se duhet të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krimet.
“Në çdo përvjetor me dhimbje, por edhe me krenari kujtojmë më të dashurit tanë. Sot kujtojmë një nga masakrat më të tmerrshme të kryer në popullatën civile. Sot po përkujtojmë edhe ata që ende vazhdojnë të jenë të zhdukur. Rezalla ishte qendër e rezistencës, ky vend na dëshmon se sa i vlefshëm ishte atdheu. Historia e Kosovës është e dhimbshme, për përpjekjet e jashtëzakonshme të bëra për liri. Të gjitha ata që kryen krime duhet të dënohen, sepse vetëm atëherë do të qetësohen zemrat e familjeve tona. Populli ynë u rreshtua në anën e drejtë të UÇK”, tha Jashari.
Në emër të presidentit Hashim Thaçi, ka folur këshilltari i tij Ismail Syla, i cili duke iu drejtuar familjarëve të të masakruarve, tha se duhet të ndjehen krenarë pasi ata dhanë jetën për lirinë e vendit.
Kryetari i organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati ka folur në emër të shoqatave të dalura nga lufta, përmendi që asnjë person nuk është dënuar për këtë masakër.
“Kjo lëndinë është dëshmi se çfarë sakrificash ka bërë populli ynë, ushtria serbe nuk kurse as fëmijë, pleq e askënd, por edhe popullata ishte e vendosur për liri. Për këtë masakër gjatë viteve ende nuk dolën para drejtësisë kriminelët serbë. Rezalla, sikurse Kosova do të jetë gjithmonë e lirë”, tha ai.
Në emër të familjareve ka folur deputetja Blerta Deliu, e cila ka thënë se sot përkujtohen ata që në mënden më barbare u masakruan nga forcat serbe.
“Sot në përvjetorin e 20 të masakrës së Rezallës përkujtojmë të gjithë martirët, që nga fëmijët e deri tek. Kujtojmë sot masakrën ku u vranë qytetarë të pafajshëm. 20 vjet më parë përjetoi tragjedinë më të tmerrshme. Jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dëshmorët e lirisë. Kosova nuk do ti harrojmë tragjeditë dhe krimet që i ka kryer Serbia në fshatrat Izbicë, Studime, Krushë dhe në shumë lokalitete anë e kënd vendit. 20 vjet pas ky shtet nuk do të bëhej pa luftën e UÇK”, tha ajo.