Fjalë Kyçe

Kërkohet paraburgim për dy personat që ndihmuan në mashtrimin me bileta udhëtimi

Kërkohet paraburgim për dy personat që ndihmuan në mashtrimin me bileta udhëtimi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj S.I. dhe H.H. të cilët dyshohen se kanë ndihmuar bashkëpronarët e një agjencioni turistik për t’i mashtruar qytetarët me bileta udhëtimi.

Të njëjtit dyshohet se nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B. bashkëpronar të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit.

“Përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i “Prishtina Jet’’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër, ku personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘’Prishtina Jet’’, përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, kurse mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF, kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF, ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Të pandehurit gjenden në ndalim nga data 28 tetor 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.