Fjalë Kyçe

Kërkohet paraburgim për personat që rihapën bastoren

Kërkohet paraburgim për personat që rihapën bastoren

Policia e Kosovës sot njoftoi se i ka arrestuar tre persona në Gjilan pasi të njëjtit kishin larguar shiritat paralajmërues dhe kishin dëmtuar drynin në disa lokale të lojërave të fatit – bastore sportive duke filluar punën në kundërshtim me urdhrin e Administratës Tatimore të Kosovës për ndërprerjen e punës.

Ndaj të njëjtëve Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së djeshme ka ndaluar të dyshuarit A.D., F.B. dhe I.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, përcjell lajmi.net.

Më 2 mars 2019, i dyshuari A.D., punëtor në bastoren “Euro Loto”, në Gjilan, duke zbatuar urdhrin e kundërligjshëm të menaxherit të tij, ka hequr dhe dëmtuar shiritët – shenjat zyrtare, të cilat ishin vendosur më 1 mars 2019, nga Administrata Tatimore e Kosovës, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë pa licencë, në atë mënyrë që pasi heq drynin dhe dëmton shiritët zyrtar, hyn në lokal dhe zhvillon veprimtarinë e lojërave të fatit, pa përfillur ndalesën nga ATK-ja.

Ndërsa, të dyshuarit F.B. dhe I.G., njëri më 1 mars 2019, ndërsa tjetri me 2 mars 2019, në bastoren ‘’Eco Bet’’, në Gjilan, veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke zbatuar urdhrin e kundërligjshëm të menaxherit të tyre.

Prokuroria, sot ndaj tyre ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, në afat prej 30 ditësh.

Të përfshirë në këtë rast janë edhe dy të dyshuar tjerë, të cilët gjenden në arrati.