Fjalë Kyçe

Kërkohet të hiqet ora policore dhe bartja e maskës në ambiente të hapura

Kërkohet të hiqet ora policore dhe bartja e maskës në ambiente të hapura

Derisa shumë vende të botës janë duke u përballur me variantin e ri të koronavirusit, Kosova ende qëndron nën masa mbrojtëse për parandalimin e pandemisë edhe pse nuk ka të regjistruar asnjë person me virusin e quajtur Omicron.

Por me vendosjen e masave të reja të mundshme, nuk po pajtohet kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai madje po kërkon që të largohet ora policore dhe bartja e maskës në ambiente të hapura.

Ibrahimi në një deklaratë për Gazetën Sinjali tha se duke marrë parasysh situatën stabile me virusin COVID-19 në Kosovë, nuk ka kuptim që të ketë orë policore si dhe nuk është e nevojshme bartja e maskës në ambiente të hapura, kjo pasi sipas tij asnjë shtet nuk e ka të obligueshme maskën kur personi është duke ecur vetëm.

Mes tjerash ai tha që nëse momentalisht kemi numra minimal të të infektuarave me koronavirus, nuk është për shkak të orës policore, por për shkak të vetëdijes së qytetarëve të cilët janë vaksinuar me një përqindje të lartë.

Në kuadër të kësaj ai po ashtu tha që këtë javë presin të kenë takim me Ministrinë e Shëndetësisë, për gjendjen aktuale me virusin.  Ibrahimi u shpreh që shpreson që takimi ta ketë frymën e bashkëpunimit mes të dy palëve dhe koordinim më korrekt.

“Presim që gjatë kësaj jave ta kemi takimin me MSh ku do të diskutohet situata aktuale me COVID-19 si dhe për hapat e mëtutjeshëm. Duam të besojmë që takimi, nëse do të ketë takim, të ketë frymën e koordinimit  dhe bashkëpunimit e jo të njoftimit të vendimeve të cilat janë marrë nga niveli qendror sepse shumë veprime kanë ndodhur nga MSh pa koordinimi dhe bashkëveprimi me komunat e Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas tij, ai kërkon bashkëpunim më korrekt nga MSh në mënyrë që të ketë sukses në terren.