Fjalë Kyçe

Këshillëtari i Kurtit thotë se Kosova nuk u ftua nga SHBA me fajin e ish-kryeministrit Hoti

Këshillëtari i Kurtit thotë se Kosova nuk u ftua nga SHBA me fajin e ish-kryeministrit Hoti

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar pasi që Kosova nuk është ftuar të marr pjesë në Samitin për Demokraci që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zulfaj ka thënë se është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga SHBA-të, pasi sipas tij, demokracia në Kosovë ka rënë gjatë qeverisjes Hoti, transmeton Telegrafi.

“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%.

Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka thënë Zulfaj në reagimin e tij në Facebook.

Tutje, ai ka shkruar se “Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka treguar për Telegrafin se pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë të SHBA-ve.

Nga Zyra për Medie e ambasadës kanë deklaruar se “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë”.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Telegrafin.

Sipas deklaratës qëllimi i këtij Samiti ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë e vendosura mirë ashtu edhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhjes.

Më 9 dhe 10 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet për herë të parë Samiti për Demokraci, ndërsa tashmë po qarkullon në media lista me vendet që janë ftuar për të qenë pjesë e samitit.