Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Blerim Latifi ka thënë se AAK-në ka filluar ta tranojë pushteti.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Latifi ka shkruar se simptoma e parë që e tregon këtë është humbja e aftësisë për t’u treguar politikisht korrekt me njerëzit dhe shoqërinë, shkruan Gazeta Alo.
Ai madje ka pyetur kryeministrin Haradinaj se a është dikund, pasi siç ka shkruar se meshkujt e partisë së tij janë duke ia marrë fytyrën atij dhe gjithë Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
KUR PUSHTETI TË TRANON
Disa prej miqëve tanë në AAK ka fillu me i tranu pushteti. Simptoma e parë që tregon se të ka tranu pushteti është humbja e aftësisë për t’u treguar politikisht korrekt me njerëzit dhe shoqërinë. Njëri çohet dhe i arsyeton keqpërdorimet duke thënë se meqë të tjerët para nesh kanë abuzuar me pushtetin, tash është rradha jonë ta bëjmë të njëjtën gjë. Pra politika s’qenka asgjë më shumë se rotacion keqpërdoruesish. Tjetri çohet, e pa ju dridhë çerpiku, thotë se qytetarët me librezë të AAK-së janë më rëndësishëm se qytetarët me përkatësi tjetër partiake. Që do të thotë se fisi dhe klientela partiake nuk pyesin për ligj e barazi para ligjit. Një tjetër thotë se, po të ishte në dorën e tij, sot do ta dëbonte nga Kosova ambasadorin e Zvicrës. Që do të thotë se kemi ardhë deri aty sa edhe mikun, që ta thotë të vërtetën, me shpallë armik të shtetit. Një tjetër… S’po vazhdoj më tutje, se janë shumë.
Kryeministër, a je kun? Afroj pak mashkujt, se janë duke ta marrë ftyrën ty, e tanë Kosovës!/Gazeta Alo/