Fjalë Kyçe

Kështu e dënon Qeveria vrasjen e Policit në Istog

Kështu e dënon Qeveria vrasjen e Policit në Istog

Qeveria e Kosovës përmes një reagimi zyrtar është deklaruar lidhur me rastin e sotëm tragjik në Istog, ku gjatë një shkëmbimi të zjarrit më grabitësit, u vra një polic.

Qeveria përmes një deklarate dënon ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policis në Istog, dhe fton organet e rendit të ndërmarrin masa për masat nevojshme, shkruan lajmi.net.

“Akt qyqar” e ka quajtuar Qeveria këtë ngjarje.

Ky është reagimi i plotë i Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe fton organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar.

Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.

Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UCK-së, Izet Demaj.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur.

Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo vrasje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë.