Enver Mehmeti, fermer nga fshati Llashticë e Gjilanit, ka 13 vjet që po bën kultivimin e mollës.
Të mbjella në këtë plantacion ka rreth 2 mijë trupa mollë, me rendiment deri në 70 tonë në vit.
Por, të gjitha këto thotë se duhet t’i hedhë në mbeturina, për shkak të mungesës së tregut.
Deri më tash, Mehmeti thotë se është detyruar t’i asgjësojë rreth 20 tonë mollë, duke humbur kështu rreth 8 mijë euro.
Në mungesë të tregut, Mehmeti shton se është në rrezik ta asgjësojë edhe pjesën e mbetur të mollëve, raporton KTV.
Ani pse disa herë ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe nga Komuna e Gjilanit, çdoherë ka marrë përgjigje negative.
Ndonëse edhe më tutje ka vullnet që të merret me këtë profesion, shton se i njëjti nuk ka perspektivë.
KTV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.