Marrëveshje të shkruara në letër ku flitet për marrje e kthim të disa shumave të mëdha të parave, ishin mënyra se si qarkulluan këto të holla, si fajde e personave të caktuar, e që qëllim ishte ndërtimin e një spitali në Qendër të Prishtinës. T7 sjell ekskluzivisht deklaratat e nënshkruara nga Rrahim Hashimi, Ekrem Lika e Kadri Rexhepi, ky i fundit, siç shkruhet në deklaratat e siguruara figuron se ka njoftuar Likën e Hashimin me biznesmenin Faton Dalladakun.
Ndërtimi i një spitali, marrja e lejes dhe nënshkrimi i kontratës për të, përfshinë në fajde në shifra milionëshe një grup prej disa personave.
T7 ka siguruar ekskluzivisht, deklaratat e nënshkruara për kthim të atyre parave që u siguruan si borxh nga Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi e Ekrem Lika. Këta të fundit janë paditur nga Faton Dalladaku, që pretendon se iu është bërë dëmi. T7 sjell fotografitë e deklaratat ekskluzive.
Këto letra figurojnë nga viti 2013-të, ishin provë e prokurorisë, në aferën e fajdeve e cila dyshohet se ka mobilizuar një grup të organizuar.
Biznesmeni Faton Dalladaku ashtu siç shkruhet në letrat e siguruara do të njoftohej me ndërmjetësim të Kadri Rexhepit, së bashku me Rrahim Hashimin e Ekrem Likën. Këta, kishin arritur marrëveshje për të hollat që do të ju duheshin për ndërtimin e një spitali në Prishtinë. Në këto letra saktësohet edhe si kanë rrjedhur të hollat nga një person te tjetri.
Në një deklaratë që daton nga 12 shkurti i vitit 2013-të, e nënshkruar nga Rrahim Hashimi e Ekrem Lika, shkruhet se Kadri Rexhepi, ish-profesor nga Komuna e Ferizajt kishte njoftuar këta të dy me biznesmenin Faton Dalladaku. Kjo ishte bërë shkaku i blerjes së një spitali nga Ekrem Lluka që atëherë ishte në ndërtim e sipër në Prishtinë.
“Deklaroj me sinqeritetin më të madh se Zotri Kadri Rexhepi nuk ka marrë asnjë cent. Për këtë garantoj moralisht dhe materialisht”, shkruhet në deklaratën e parë të siguruar.
Dy vite më vonë, grupi i organizuar nënshkroi edhe dy dokumente tjera, ashtu të shkruara me dorë, e të nënshkruara nga ta.
Në një deklaratë që daton nga data 12 shkurt të vitit 2015-të, shkruhet se pas një takimi në Prishtinë, Rrahim Hashimi deklaron se borxhin ndaj Kadri Rexhepit në shumën prej 150 mijë eurove do ta kryente deri më 20 prill të atij viti.
“Duhet të ceket se këtë huadhënie nuk ka pasur mashtrim as lajthitje dhe si të tillë e marr përsipër që ta shlyej deri në datën e lartë cekur… Unë Rrahim Hashimi marr përsipër që ta shlyej borxhin deri në datën e lartëcekur”, shkruhet në këtë letër e nënshkruan nga Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi.
Me 15-të, shkurt në një letër mbi të cilën shkruhet marrëveshje, thuhet se Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi janë dakorduar për një borxh që Rexhepi kishte marrë nga Imri Emini nga Sojeva e Ferizajt.
“Kadriu borxhin e ka marrë për t’ia dhënë si ndihmë Faton Dalladakut pasi i njëjti ka pasë një vështirësi në atë kohë. Edhe pse Fatoni është zotu që do t’ia kthejnë borxhin Kadriut, këtë nuk e ka bërë asnjë. Tash duke u nisë nga rrethanat e reja, pasi Fatoni ka implikime financiare të përbashkëta me Rrahim Hashimin. Rrahim Hashimi merr përsipër të shlyejë borxhin e Fatonit që është ne vlerën e 220.000 eurove, palët janë ra dakord në prezencën e tyre”, shkruhet në këtë marrëveshje.
Aty ishte dhënë edhe një afat kohor, e borxhi do të duhej të shlyej jo më larg se data 1 maj e atij viti.
Në media tashmë janë bërë publike edhe disa video ku shihen personat e lartë cekur duke folur për këto shuma të parave. Përvec tjerash, derisa diskutohet për paratë që iu dha biznesmeni Faton Dalladaku për të ndërtuar spitalin privat, përmendet edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili thuhet të ketë marrë 200 mijë euro nga këta persona.
Dalladaku në anën tjetër i ankohet Kadri Rexhepit se Rrahim Hashimi nuk po ia kthen paratë dhe se kontrata dhe leja për ndërtimin e spitalit nuk iu është dhënë.
Gazeta Express dje ka sjellë intervistën eksluzive pas daljes nga burgu të Rrahim Hashimit. Ky i fundit ka pranuar se e ka njohur Faton Dalladakun. Sa i përket videos ku përmendet edhe emri i Kadri Veselit, ai shton se nuk është edituar e plotë, pasi që ai nuk ka marrë asnjë para apo s’ka dhënë fajde te asnjë person.
Hashimi kishte përmendur emrin e Kadri Rexhepit nga Ferizaj, e që sipas tij ai është personi i përfshirë në skemë, që ka përmendur emrin e kreut të PDK-së, e që dinë prapavijën e rastit.
Policia ndërkaq përmes një aksioni në disa komuna të vendit, ka arrestuar të hënën pesë persona, Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.